Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidimi për president të Kosovës për shkak të, siç tha, mungesës së nevojshme të deputetëve për zgjedhjen e tij.
Ai tha se për këtë vendim e ka njoftuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti që e propozuan si kandidat të përbashkët për president.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës”, shkroi ai në Facebook.
Më 31 gusht, LVV-ja dhe LDK-ja njoftuan se ishin pajtuar që Sejdiu ishte kandidat i përbashkët për president, pas një sërë rundesh të negociatave.
Por, një ditë më vonë gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk e mbështesin Sejdiun.
Sejdiu tha se kishte shprehur që deputetët dhe partitë politike do të tejkalonin ndasitë për t’i dhënë vendit stabilitet institucional.
Sipas tij, Kosova dhe qytetarët e saj “nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”.
“Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre”, shkroi ai në Facebook.
Pas njoftimit të Sejdiut, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se me tërheqjen nga kandidatura, Sejdiu tregoi “dinjitet”.
“Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për president”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai e falënderoi Sejdiun për gatishmërinë e treguar për të kandiduar, por tha se në vend të zgjidhjes politike për çështjen e presidentit, “zgjedhjet e reja” janë vendosur si qëllim.
Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.
LVV-ja e Albin Kurtit fitoi 53 mandate në zgjedhjet e qershorit. Me 12 votat - nga 18 deputetë sa ka LDK-ja, pra pa gjashtë deputetët që kundërshtuan Sejdiun - nuk arrihej pragu prej 80 votash për zgjedhjen e presidentit.
Edhe pas njoftimit nga vetë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se gjashtë nga 18 deputetët e partisë së tij nuk do të mbështesnin Sejdiun, marrëveshja për presidentin ishte konsideruar e vlefshme nga kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti më herët gjatë ditës së sotme po ashtu u bëri thirrje deputetëve të partive opozitare për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri.
“Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj... u bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve ta zgjedhimin çështjen e presidentit dhe të ecim përpara”, tha Kurti disa orë para njoftimit të Sejdiut.
Njoftimi për tërheqjen nga kandidatura për president e Sejdiut vjen një ditë pasi Kuvendi u shpall i konstituuar dhe më pas u zgjodh Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti.
Megjithatë, themelimi i këtyre dy institucioneve është kontestuar nga partitë opozitare, dhe Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi më 14 gusht kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për masë të përkohshme ndaj Kuvendit, deri në qartësimin e kushtetushmërisë së procesit.
Sipas PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e shkeli afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.
Sipas një aktgjykimi të vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.
Kuvendi i Kosovës u konstituua të dielën pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.
Ndërkaq, disa orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria. Në seancë nuk morën pjesë, PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca.