Ndërlidhjet

Netanyahu mund të mos ketë vota të mjaftueshme për qeveri të re


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mund të përballet me vështirësi në sigurimin e ulëseve për të qëndruar në pushtet, tregojnë të dhënat pas numërimit të gati 90 për qind të votave.

Rezultatet e zgjedhjeve të së martës kanë treguar se blloku i tij i krahut të djathtë, mund të ketë tetë ulëse më pak sesa që duhet për formim të qeverisë së re.

Rezultatet përfundimtare do të përcaktojnë mes tjerash edhe qasjen e Izraelit ndaj palestinezëve.

Netanyahu – lideri që ka shërbyer më së gjati në Izrael – është zotuar për të formuar qeverinë e krahut të djathtë, të drejtuar nga Partia e tij Likud.

Një parti tjetër më e vogël, po ashtu e djathtë, Yamina, e drejtuar nga ish-besniku i Netanyahut, Naftali Bennett, nuk ka treguar qartë nëse do të përkrahë përpjekjet e Netanyahut për të formuar qeverinë, apo partitë opozitare që dëshirojnë ta largojnë atë nga pushteti.

“Unë do të bëj vetëm atë që është e mirë për shtetin e Izraelit”, ka thënë Bennett pas votimit që ka përfunduar të martën në mbrëmje.

Ai ka thënë se i ka treguar Netanyahut se Yamina do të presë rezultatet finale, para se të vendosë për hapat e ardhshëm.

Naftali Bennett.
Naftali Bennett.

Netanyahu ka falënderuar mbështetësit përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Kemi një fitore të madhe të së djathtës dhe Partisë Likud nën udhëheqësinë time. Likud është partia më e madhe deri më tani”.

“Është e qartë se shumica e izraelitëve janë të krahut të djathtë dhe duan një qeveri të fortë, stabile, të krahut të djathtë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Yair Lapid, lider i partisë kryesore opozitare Yesh Atid, e cila pritet të fitojë rreth 17 ulëse, ka thënë se është “krenar” me arritjet “e jashtëzakonshme” të partisë së tij.

“Unë veçse kam filluar të zhvillojë takime me disa liderë të bllokut për ndryshim dhe do të vazhdojë në ditët në vijim”, ka thënë ai, duke shtuar se “do të bëjë gjithçka të mundshme për të krijuar një qeveri të arsyeshme në shtetin e Izraelit”.

Yair Lapid.
Yair Lapid.

Pak më shumë se 67.2 për qind e banorëve që kanë pasur të drejtë vote, e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

Këto zgjedhjeve janë konsideruar si referendum për udhëheqësinë e Netanyahut.

Kryeministri 71-vjeçar ka qenë në pushtet vazhdimisht prej vitit 2009, derisa ka shërbyer edhe në një tjetër mandat trevjeçar në vitet 1990.

Fushata e tij është fokusuar në programin e Izraelit për vaksinim të popullsisë kundër koronavirusit, dhe suksesin në diplomaci, për të normalizuar lidhjet me disa shtete arabe.

Mirëpo, kundërshtarët e tij nga i gjithë spektri politik kanë argumentuar se ai nuk duhet të mbetet në pozitë derisa përballet me akuza për korrupsion.

Netanayhu, në anën tjetër, mohon të gjitha akuzat.

Pas tri palë zgjedhjeve të mbajtura së fundmi, as Netanyahu dhe as rivalët e tij nuk kanë arritur të formojnë qeveri stabile.

Qeveria aktuale, e cila është rezultat i ndarjes së pushtetit, pas marrëveshjes së arritur me ministrin e Mbrojtjes, Benny Gantz, ka rënë në muajin dhjetor, pas vetëm shtatë muajve të qeverisjes.

Gantz me partinë e tij Kaltër dhe Bardhë, është parashikuar të fitojë shtatë ulëse, ka thënë të martën se “do të bëjë gjithçka për të bashkuar bllokun pro ndryshimit”, referencë për ata që duan kryeministër të ri.

Nëse negociatat për të formuar qeverinë dështojnë sërish, Izreali mund të përballet me zgjedhje për të pestën herë në dy vjet.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG