Ndërlidhjet

Berlusconi: Putinin “e kanë shtyrë” të nisë luftën


Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.
Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi dhe presidenti rus, Vladimir Putin. Fotografi nga arkivi.

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, ka thënë se presidentin rus, Vladimir Putin e kanë “shtyrë” të nisë luftën në Ukrainë, dhe që të instalojë qeverinë e re në Kiev.

Këto komente pritet të shqetësojnë aleatët perëndimorë, pasi Italia do të mbajë zgjedhjet më 25 shtator.

Berlusconi, partia e të cilit, Forza, i takon koalicionit të të djathtës ekstreme, pritet të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të dielën.

Komentet e tij kanë vënë në pah çarjet brenda koalicionit për luftën në Ukrainë.

Berlusconi, mik personal i liderit rus, ka minimizuar instiktet luftarake të Putinit, pasi ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore, pas zmbrapsjeve të ushtrisë së tij në Ukrainë.

“Putin është shtyrë nga populli rus, nga partia e tij, nga ministrat e tij, që të nisë këtë operacion special”, ka thënë Berlusconi, duke iu referuar luftës në Ukrainë.

Nën kryeministrin, Mario Draghi, Italia ka qenë mbështetëse e madhe e sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, për shkak të nisjes së luftës.

Giorgia Meloni nga partia e djathtë, Vëllezërit e Italisë, kandidate për kryeministre, është zotuar se do të vazhdojë të mbajë qëndrim të njëjtë sikurse të Draghit, mirëpo Berluscioni dhe aleati i tij Matteo Salvini, kanë qëndrime tjera.

Plani i Rusisë ka qenë që të pushtojë Kievin “brenda një jave” dhe ta zëvendësojë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, me një “Qeveri të njerëzve të denjë” dhe të largohet “javën pasuese”, ka shtuar ai.

“Nuk e kam kuptuar pse trupat ushtarake ruse janë përhapur rreth Ukrainës, kur në mendjen tim ata do të duhej të ishin rreth Kievit”, ka insistuar Berlusconi.

Duke folur në televizionin publik italian, RAI, Berlusconi ka sugjeruar që vendimi i Moskës për pushtim ka ardhur pas thirrjeve të separatistëve.

Ai ka thënë se liderët e tyre kanë shkuar në Kremlin dhe i kanë thënë Putinit që t’i mbrojë, sepse “nëse nuk na mbron, nuk e dimë ku do të përfundojmë”.

Presidenti Putin, ka shpallur më 21 shtator mobilizim të pjesshëm të rezervistëve ushtarakë për luftën në Ukrainë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë në një intervistë televizive se do të mobilizohen 300.000 rezervistë me përvojë përkatëse ushtarake.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG