Ndërlidhjet

Biden i premton botës "arsenal vaksinash"


Presidenti amerikan, Joe Biden.
Presidenti amerikan, Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara do të japin donacion 500 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuara nga kompania Pfizer, për vendet në zhvillim, nga viti i ardhshëm.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka bërë këtë zotim në një samit virtual për COVID-19 në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke premtuar "arsenal vaksinash”.

Me këto doza, dhe ato që janë ndarë në të kaluarën, i bie se Shtetet e Bashkuara do të ndajnë në total mbi 1 miliard doza vaksinash kundër COVID-19.

Ekspertët thonë se rreth 11 miliardë doza janë të nevojshme për të vaksinuar të paktën 70 për qind të popullsisë globale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur një shënjestër minimale që parasheh 40 për qind të popullsisë së vaksinuar në secilin shtet deri në fund të vitit 2021, mirëpo ky synim ka pak mundësi që të përmbushet.

Teksa shumë shtete me të ardhura të larta tani kanë dhënë të paktën një dozë të vaksinës për më shumë se gjysmën e popullsisë, vetëm 2 për qind e shteteve me të ardhura të ulëta kanë marrë dozën e parë, bazuar në të dhënat nga Universiteti i Oksfordit.

Samiti për COVID-19 i Shtëpisë së Bardhë, vjen teksa hulumtimet tregojnë se shtetet e pasura kanë ende rezerva të vaksinave, dhe shumicës prej tyre mund t’iu skadojë afati shpejt.

Në muajin qershor, vendet anëtare të G7-ës -Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – janë zotuar për të dhënë donacion 1 miliard doza të vaksinave për vendet e varfra në vitin e ardhshëm.

Presidenti Biden ishte zotuar për ndarjen e 580 vaksinave në atë kohë, prej të cilave janë ndarë 160 milionë deri më tani.

Organizata Botërorë e Shëndetësisë u ka bërë thirrje vendeve të pasura që të mos nisin dhënien e dozave përforcuese kundër koronavirusit, derisa të rriten pak shifrat globale të imunizimit në vendet në zhvillim.

XS
SM
MD
LG