Ndërlidhjet

Biden: Prania e Al Kaidës në Afganistan është degraduar


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e shfrytëzoi 10-vjetorin e vrasjes së udhëheqësit të Al Kaidës, Osama bin Laden, për të mbështetur vendimin e tij për tërheqjen e trupave nga Afganistani.

Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden tha se prania e grupit terrorist të Al Kaidës në Afganistan “është degraduar shumë” si rezultat i vrasjes së bin Ladenit dhe luftës gati 20-vjeçare të forcave të NATO-s.

Bin Laden ishte organizatori i sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001, në SHBA, të cilat lanë të vrarë afro 3,000 njerëz.

“Ne e çuam bin Ladenin në portat e ferrit”, tha presidenti amerikan.

Bin Laden u vra më 2 maj të vitit 2011, në një operacion të forcave speciale amerikane, në Pakistan.

Biden, i cili atëbotë ishte nënpresident i SHBA-së, tha se vrasja e bin Ladenit ishte një moment që nuk do ta harrojë kurrë.

Muajin e kaluar, Biden dhe NATO-ja njoftuan se do t’i tërheqin të gjitha forcat e huaja nga Afganistani deri më 11 shtator.

Kjo nxiti shqetësime në lidhje me aftësinë e forcave afgane të sigurisë për të luftuar talibanët dhe grupet e tjera terroriste.

Por, Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të veprojnë kundër grupeve terroriste që “kanë metastazuar në të gjithë botën”.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë dhe pengojmë çdo kërcënim ndaj nesh, që del nga Afganistani. Do të punojmë për të kundërshtuar kërcënimet terroriste ndaj atdheut tonë dhe interesave tona, në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët në të gjithë botën”, tha Biden.

XS
SM
MD
LG