Ndërlidhjet

I dyshuari për rrjedhjen e dokumenteve do të dalë para gjykatës


Pjesëtarë të Policisë qëndrojnë rreth gjysmë milje larg shtëpisë së të dyshuarit për rrjedhjen e dokumenteve amerikane, që u arrestua në Masaçusets të SHBA-së, më 13 prill 2023.
Pjesëtarë të Policisë qëndrojnë rreth gjysmë milje larg shtëpisë së të dyshuarit për rrjedhjen e dokumenteve amerikane, që u arrestua në Masaçusets të SHBA-së, më 13 prill 2023.

Një anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të Masaçusets, që është identifikuar si i dyshuar për zbulimin e dokumenteve ushtarake të klasifikuara mbi luftën në Ukrainë, u arrestua të enjten, më 13 prill, nga agjentët federalë.

Lajmin e ka konfirmuar Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland, sipas raportimeve në agjencitë e lajmeve AP, Reuters dhe AFP.

Ai do të paraqitet para gjykatës të premten.

Hetuesit besojnë se anëtari i Gardës Kombëtare Ajrore, i specializuar në inteligjencë, drejtonte grupin në internet ku ishin postuar fillimisht dokumentet. Garland e identifikoi të dyshuarin si Jack Teixeira, 21-vjeçar, dhe tha se ai do të akuzohej për heqje të paautorizuar të informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare.

Agjentët e FBI-së u mblodhën të enjten, 13 prill, para shtëpisë së Teixeiras në Masaçusets dhe agjentët e armatosur e arrestuan Teixeiran “pa incidente”, tha Garland.

Pamje nga momenti i arrestimit të Jack Teixeiras në Masaçusets, 13 prill 2023.
Pamje nga momenti i arrestimit të Jack Teixeiras në Masaçusets, 13 prill 2023.

Garda Kombëtare nuk e konfirmoi identitetin e tij, por tha në një deklaratë se “ne jemi të vetëdijshëm për hetimin mbi rolin e supozuar që një anëtar i Gardës Kombëtare Ajrore të Masaçusets mund të ketë luajtur në rrjedhjen e fundit të dokumenteve të klasifikuara”.

Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, i referoi të gjitha pyetjet e gazetarëve në lidhje me këtë çështje te Departamenti i Drejtësisë. Por ai tha se “ne kemi rregulla në fuqi. Secili prej nesh nënshkruan një marrëveshje moszbulimi. Ky është një akt kriminal, një shkelje e qëllimshme e tyre”.

Mediat raportojnë se rrjedhja nisi në platformën Discord, të njohur në mesin e adhuruesve të video lojërave online. Në këtë platformë mund të zhvillohen biseda me zë, video dhe tekst në kohë reale nëpër grupe.

Në një nga këto forume në Discord, anëtarët debatonin për luftën në Ukrainë. Sipas një anëtari të këtij grupi, një person i paidentifikuar shpërndau dokumente që pretendonte se ishin të klasifikuara, fillimisht duke i shkruar vetë e më pas duke shpërndarë edhe imazhe të dokumenteve të palosura.

Grupi në Discord dyshohet se përfshinte njerëz nga Rusia dhe Ukraina, sipas mediumeve amerikane, dhe ishte i fokusuar në një “dashuri reciproke për armët, pajisjet ushtarake dhe Zotin”. Discord ka thënë ka bashkëpunuar me organet përgjegjëse për zbatim të ligjit.

Të enjten, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tentoi t’i zbusë shqetësimet lidhur me rrjedhjen e supozuar të dokumenteve të klasifikuara amerikane.

Biden tha se rrjedhja e këtyre dokumenteve – ku jepen detaje rreth aftësive ushtarake të disa aleatëve dhe kundërshtarëve të SHBA-së – nuk zbuloi asgjë shumë të vlefshme.

Numri i dokumenteve të zbuluara, disa prej të cilave thuhet se shënoheshin me etiketën “top sekret”, nuk është i ditur.

Ato supozohet se përfshijnë informacione të ndjeshme rreth Ukrainës, Koresë së Jugut, Izraelit dhe shumë vendeve të tjera. Administrata e Bidenit ka frikë se rrjedhja e informacionit mund t’i dëmtojë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët kryesorë dhe partnerët strategjikë të saj.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, tha në televizionin ukrainas më 12 prill se “rreziku i rrjedhjeve është shumë minimal” sepse vetëm një “rreth shumë i ngushtë njerëzish” është në dijeni të planifikimeve ushtarake ukrainase.

XS
SM
MD
LG