Ndërlidhjet

Biden viziton Arabinë Saudite mes kritikave nga grupet e të drejtave të njeriut


President amerikan Joe Biden do marrë pjesë në një takim të këshillit të bashkepunimit të vendeve të Gjirit Persik, që mbahet në Arabinë Saudite
President amerikan Joe Biden do marrë pjesë në një takim të këshillit të bashkepunimit të vendeve të Gjirit Persik, që mbahet në Arabinë Saudite

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur këtë të premte, më 15 korrik në Jedah, në Arabinë Saudite, ku do të takohet me sundimtarin de-fakto të vendit, Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

Vendimi i tij për t'u ndalur në Arabinë Saudite si pjesë e turit 4-ditor në Lindjen e Mesme solli kritika të ashpra, me disa analistë, që e quajnë atë një shuplakë në fytyrë për ata që luftojnë për të drejtat e njeriut.

Vizita në Arabinë Saudite shihet si një zbrapsje nga premtimi i dy viteve më parë të Presidentit Biden për të vendosur të drejtat e njeriut në qendër të politikës së jashtme amerikane dhe për ta izoluar princin saudit të kurorës nga skena ndërkombëtare për vrasjen e gazetarit të Washington Post-it, Jamal Khashoggi në 2018-n.

Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe OKB-ja, gjetën në mënyrë të pavarur prova se princi saudit qëndronte pas vrasjes së gazetarit me origjinë saudite. Pretendime që princi saudit i mohon.

Gjatë takimit pritet që temat e diskutimit për dy liderët të përfshijnë furnizimin me energji, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin mbi çështjet e sigurisë.

Arabia Saudite është prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe përpjekja për rivendosjen e marrëdhënieve pason një rritje të çmimeve të naftës, e nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Ekspertët thonë se vizita e parë e zotit Biden në Lindjen e Mesme si president ka të ngjarë të jetë e vështirë, me grupet e të drejtave të njeriut që do të vëzhgojnë çdo shtrëngim duarsh dhe do të analizojnë çdo fjalë të tij.

XS
SM
MD
LG