Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Bizneset kërkojnë liberalizimin e vizave


Ambasada e Hungarisë në Prishtinë, 7 dhjetor, 2017

Shpejtim Kuqi drejtor ekzekutiv në fabrikën për prodhimin e këpucëve, “Solid” nga Suhareka në mungesë të vizës shumë herë nuk ka mundur të jetë pjesë e panaireve të organizuar në Evropë e më gjerë.

Mospjesëmarrja në takime të rëndësishme me afaristë ndërkombëtarë, thotë Kuqi, u ka shkaktuar probleme në zhvillimin e veprimtarisë së kompanisë.

“Lëvizja e lirë është diçka shumë e mirë për bizneset për arsye se ne po kemi shumë probleme për tu pajisur me viza. Unë si drejtor ekzekutiv i kompanisë ‘Solid’ nuk kam vizë tani e dy muaj, duhet pritur një muaj për termin dhe një muaj përgjigjen për me marrë vizën. Kjo më ka sjell shumë probleme. Janë dy panaire të lëndëve të para që janë shumë të rëndësishme për kompanitë tona e që unë nuk mund të jem prezent”, thotë Kuqi për Radion Evropa e Lirë.

Liberalizimi i vizave për Kosovën, përveç realizimit të mundësisë për lëvizje të lirë të qytetarëve, thotë Kuqi, do të ketë rëndësi të madhe për komunitetin e biznesit.

Mospërmbushja e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni Evropian e kanë lënë Kosovën qe një kohë të gjatë pa u përfshirë në zonën e lëvizjes së lirë pa viza, të njohur si zona Shengen.

Ismet Mulaj, nga Oda Tregtare e Afarizmit thotë për Radion Evropa e Lirë se në bazë të një analize që kanë bërë, bizneset për tu pajisur me një vizë shpenzojnë deri në 400 milionë euro në vit.

“Një nga barrierat më të mëdha të zhvillimit të biznesit në Kosovë ka qenë mungesa e liberalizimit të vizave, përveç kostos direkte që janë deri në 70 milionë euro pa përfshirë edhe kohën që shpenzojnë bizneset për tu pajisur me një vizë janë edhe dokumentet e shumta e nganjëherë edhe mos pajisja me vizë. Kjo barrierë sipas analizave tona i ka shkaktuar humbje biznesit 300 deri në 400 milionë euro brenda një viti”, thotë Mulaj.

Mulaj, thekson se përveç shpenzimeve për tu pajisur me një vizë, mungesa e liberalizimit të vizave bizneseve u ka shkaktuar probleme në krijimin e kontakteve me afaristë ndërkombëtarë.

“I ka pamundësuar biznesit nga Kosova që të del në arenën ndërkombëtare të kontaktojë me afaristë ndërkombëtarë, të bëjë marrëveshje më bizneset në Evropë. Marrëveshja për tregti të lirë CEFTA lejon qarkullimin e lirë të mallrave në Bashkimin Evropian, por nuk lejon pronarët e bizneseve që të lëvizin në BE dhe kjo është një problem i madh”, thotë Mulaj.

Qarkullimi i lirë i përfaqësuesve të biznesit është një problem i pazgjidhur sidomos për bizneset që merren me eksportin dhe importin e produkteve të ndryshme në vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas bizneseve liberalizmi i vizave do të rrisë më tepër edhe rëndësinë e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim me Bashkimin Evropian, marrëveshje kjo që ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

MSA-ja ua hapi dyert bizneseve të Kosovës për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh, por që pa liberalizmin e vizave konsiderohet te mos ketë efektin e duhur.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG