Ndërlidhjet

Bizneset që dëmtojnë shtetin


Lëshimi i kuponit fiskal - fotografi ilustruese.
Lëshimi i kuponit fiskal - fotografi ilustruese.

Kafeneja “Tirona”, në qendër të Prishtinës, është një prej lokaleve që lëshon rregullisht kuponë fiskalë për klientët e vet.

Pronari i saj, Fanol Duli, thotë se kjo praktikë ka nisur prejse kanë hyrë në treg arkat fiskale në Kosovë, në vitin 2010.

“[Lëshimi i kuponëve fiskalë] ndikon shumë për të keq te bizneset që punojnë në mënyrë të rregullt. Përderisa ne paguajmë në secilin kupon fiskal 18 për qind TVSH [Tatim mbi Vlerën e Shtuar], ata të tjerët që nuk lëshojnë kuponë, fitimin e kanë gati 100 për qind, për të mos thënë më shumë”, thotë Duli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, shteti duhet të bëjë më shumë inspektime për kontrollimin dhe ndëshkimin e atyre bizneseve që nuk lëshojnë kuponë fiskalë.

“Për të parandaluar këtë pabarazi, inspektimi është e vetmja mënyrë. Në lokal tek unë vijnë shumë dhe është krijuar përshtypja që inspektorët shkojnë në ato lokale që lëshojnë kuponë fiskalë, që në fund të ditës ta bëjnë një raport, që ‘po, bizneset po lëshojë kuponë fiskalë’, e që unë mendoj se është e kundërta, sepse nuk lëshojnë”, thotë Duli.

Sipas ligjit në Kosovë, kuponi duhet të lëshohet nga ofruesi i shërbimeve në çdo rast kur arkëtohen pagesa me para në dorë.

Kuponi fiskal është dëshmi e shitjes së mallrave të caktuara dhe ai përfshin edhe tatimin që duhet paguar për mallrat e shitura.

Në rast të moslëshimit të kuponit fiskal, shteti mbetet pa ato taksa.

Taksa për shumicën e mallrave në Kosovë është 18 për qind.

Pompat e benzinës “nuk lëshojnë kuponë fiskalë”

Sipas disa qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë,pompat e benzinës janë biznese që rrallë lëshojnë kuponë fiskalë.

“Kuponi i fundit që e kam marrë, ka qenë pardje. Rregullisht, në qendra tregtare i marr, por të tregoj të drejtën në pompa të benzinës nuk kam marrë asnjëherë. E di që disa prej tyre lëshojnë kuponë fiskalë, por unë nuk kam marrë”, thotë Ibrahim Kryeziu.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, i cili po ashtu thotë se ka pasur një përvojë të tillë në pika të karburantit, thotë për Radion Evropa e Lirë se këto raste duhet të paraqiten nga qytetarët.

“Kur marr benzinë në pikat e karburantit, asnjëherë nuk ma ofrojnë kuponin fiskal. Unë e kërkoj dhe madje kam pasur problem në këtë drejtim. Prandaj, mendoj se të gjithë ata që nuk ofrojnë kuponë fiskalë duhet të lajmërohen si raste që nuk lëshojnë kuponë”, thotë Limani.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, në Kosovë janë 1,002 biznese të regjistruara si pika të karburantit.

Profesori Limani thotë se moslëshimi i kuponëve fiskalë ndikon direkt në zvogëlimin e buxhetit të shtetit.

“Ne duhet ta kuptojmë drejt dhe mirë se ikja prej këtyre obligimeve, moslëshimi i kuponëve fiskalë, dëmton shtetin. Dhe, në këtë mënyrë, zvogëlohen të hyrat buxhetore dhe zvogëlohet mundësia e Qeverisë që t’iu ofrojë shërbime më të mira publike qytetarëve. Duhet të rritet kontrolli dhe të merren masa shumë të rrepta kundër të gjithë atyre që nuk lëshojnë kuponë fiskalë”, thotë ai.

Por, në njërën nga kompanitë më të mëdha për furnizim me derivate të naftës në Kosovë thonë se janë të pajisur me arka fiskale dhe se lëshojnë kuponë fiskalë rregullisht.

Sipas tyre, kuponi fiskal printohet në arkën brenda objektit të shitjes.

“Nuk ka mundësi të bëhet shitja e radhës pa dalë kuponi fiskal. Për secilën shitje del kuponi fiskal. Mirëpo, kuponët fiskalë nuk janë te pompat. Klienti e mbush veturën me derivate dhe përton të vijë ta marrë kuponin fiskal [brenda në objekt]”, thotë një punëtor i kësaj kompanie.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se moslëshimi i kuponëve fiskalë ka bërë që në treg të ketë pabarazi.

Sipas tij, Administrata Tatimore e Kosovës duhet të punojë më shumë për ta kthyer barazinë në tregun kosovar.

“Pjesa kryesore që duhet të ndryshohet, është një fokus më i madh i ATK-së në këto probleme dhe një nxitje më e madhe për raportimin e këtyre rasteve. Jo vetëm kontrollime, por veprime të vazhdueshme për t’i fiskalizuar të gjitha bizneset”, thotë Rukiqi.

ATK: Mbi 1 milion euro dënime në vitin 2021

Nga mbi 213,000 biznese, sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, vetëm mbi 37 mijë janë të fiskalizuara, sipas ATK-së.

Bazuar në këto të dhëna, shumë biznese vazhdojnë t’u ikin obligimeve tatimore që kanë ndaj shtetit.

Zyrtarë të kësaj administrate thonë se në rast se bizneset nuk fiskalizohen, vendosen gjoba konform ligjit.

Sipas një përgjigjeje me shkrim të ATK-së dërguar Radios Evropa e Lirë, vlera e gjobës për mospajisje me arkë fiskale është 1,000 euro, ndërsa dënimi për moslëshim të kuponit fiskal është 125 euro.

“Vetëm gjatë vitit 2021 janë vizituar 4,953 biznese për moslëshim të kuponëve fiskalë, ku prej këtyre vizitave janë lëshuar 5,870 dënime në vlerë prej mbi 1.2 milion eurosh”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Në ATK thonë se kanë partneritet me qytetarët që raportojnë raste të shumta që nuk lëshojnë kuponë fiskalë, por edhe rastet kur në vend të kuponit fiskal lëshohen fatura tjera jofiskale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG