Ndërlidhjet

Gastronomia, në luftë për mbijetesë


Sektori i gastronomisë përballet me vështirësi ekonomike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Pas tre vjetësh të hapjes, restoranti ‘Sonder’ i udhëhequr nga Agnesa Geca, po ballafaqohet me situatë të rëndë si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

“Tani ka qenë periudha kur ne është dashur të vjelim të mirat e biznesit edhe tash, për shkak të pandemisë, gjithçka është kthyer mbrapsht”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Të punësuar në këtë lokal ishin 19 persona. Katër persona janë larguar nga puna, e të tjerët punojnë me orar të shkurtuar, pasi siç thotë Agnesa, e ka të pamundur që t’i sigurojë pagat e plota për të gjithë.

“T’i largoja nga puna ka qenë e vështirë pasi që edhe ata janë varur nga ajo rrogë. Tash duhet të diskutojmë që ndoshta do të shkojmë në pushim njëjavor pa pagesë, pasi që nuk kemi punë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e stafit, qirasë e shpenzime të tjera ”, thotë ajo.

Pandemia me COVID-19, thotë Agnesa, ka ndryshuar çdo gjë në biznesin e saj.

Masat kufizuese për parandalimin e koronavirusit, të cilat nisën në mars dhe disa prej tyre që u rikthyen sërish, kanë bërë që të hyrat mujore të biznesit të Agnesës të jenë për 50 për qind më pak, derisa shpenzimet janë rritur, në veçanti ato për mirëmbajtje.

“Po tash duhet të investojmë më shumë në alkool për t’i dezinfektuar duart, maskat për stafin të ndërrohen tri herë në ditë. Pak janë rritur edhe shpenzimet e pastërtisë pasi që janë specifike. Tavolinat edhe dorëzat e karriges i pastrojmë pas çdo klienti”, thotë ajo.

Agnesa tregon se të gjitha mjetet të cilat i kishte grumbulluar gjatë këtyre viteve për të investuar në lokal, po i përdorë gjatë kësaj kohë për të mbajtur lokalin hapur.

Derisa shteti, thotë Agnesa, nuk ka ofruar ndonjë ndihëm për biznesin e saj, përveç 170 euro për pagat e punëtorëve dhe atë vetëm për një muaj, kanë qenë klientët e ‘Sonder’ që ju kanë ofruar ndihmë.

“Ne i kemi klientët tanë të rregullt, që disa prej tyre vijnë vetëm edhe për të na përkrahur, vijnë të hanë për të na ndihmuar pak financiarisht. Ka pasur njerëz gjatë pandemisë, në shtëpi kur kemi qenë, që më kanë shkruar dhe më kanë thënë që po ju japim 100 euro, mandej kur hapet ‘Sonder’, blejmë ushqim; tjetër ndihmë sadopak, ka pasur njerëz që na kanë dhuruar para pa kthim vetëm se kanë dashur të na ndihmojnë”, thotë ajo.

Agnesa shpreson që sa më shpejtë t’i kthehen normalitetit, në mënyrë që punëtorët e larguar t’i kthejë përsëri në punë.

“Çdo ditë jam duke menduar për alternativë, çka të bëjmë diçka që të mund t’i mbajmë punëtorët dhe ta mbajmë hapur (lokalin) ‘Sonder’”, thotë ajo.

Pakoja emergjente për nevoja emergjente të qytetarëve dhe bizneseve në vlerë prej rreth 180 milionë euro, ishte miratuar në muajin mars nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti. Nga kjo shumë deri më tani janë ndarë vetëm 80 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër pritet të bëhet pas rishikimit të buxhetit, i cili ka kaluar në lexim të parë në kuvend më 13 korrik dhe brenda dy javëve pritet të sillet në votim për miratim përfundimtar.

Nga data 6 korrik bizneset e gastronomisë janë ndaluar që të ushtrojnë aktivitetin e tyre nga ora 21:00 deri në orën 5:00. Kurse, në fillim të pandemisë, që nga muaji mars, gastronomia ka qenë krejtësisht e mbyllur për gati dy muaj.

Rikthimi i këtyre masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri në Kosovë, është konsideruar nga përfaqësues të bizneseve se do të vazhdojë me humbje të mëdha për ekonominë e vendit.

Ata thonë se shumë të punësuar do të humbin vendin e tyre të punës dhe bizneset do të shkojnë drejt falimentimi.

Shoqata e Gastronomëve në Kosovë ka reaguar përmes rrjetit social Facebook. Sipas tyre, sektori i gastronomisë është para falimentimit.

“Është ky momenti i fundit kur duhet ta ktheni kokën nga ky sektor e ta shikoni si një aset të vendit, i cili është një hap para falimentimit. Ndihmën që e meritojmë e na takon, s'po e kërkojmë për vete, po e kërkojmë për biznes, që të mbijetojmë sot, e nesër të vazhdojmë kontributin në ekonomi e turizëm, siç e kemi bërë deri tash”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gastronomëve.

Në sektorin e gastronomisë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2018, rezultojnë se punojnë rreth 14,000 qytetarë në 3,683 biznese të regjistruara.

Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, si pasojë e pandemisë, do të ketë rënie ekonomike në vitin 2020 minus 3 për qind, por që një kalkulim i saktë, pritet të bëhet në fund të vitit.

Ndërkaq, sipas parashikimeve të mekanizmave ndërkombëtarë, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e Kosovës mund të shënojë rënie ekonomike mbi 5 për qind.

XS
SM
MD
LG