Ndërlidhjet

Hungaria dhe Turqia do të marrin pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur në Beograd


Flamujt e vendeve organizatore të Ballkanit të Hapur - Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut.
Flamujt e vendeve organizatore të Ballkanit të Hapur - Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut.

Në samitin e radhës të iniciativës Ballkani i Hapur, që mbahet më 2 shtator në Beograd, krahas organizatorëve, do të marrin pjesë edhe zyrtarë nga Hungaria dhe Turqia.

Sipas presidencës serbe, liderët e vendeve që kanë krijuar këtë nismë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, do të presin ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto dhe minstrin e Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.

Sikur edhe në takimin e fundit të kësaj iniciative, të mbajtur në Ohër, të pranishëm do të jenë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnje-Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, nuk janë pjesë e saj.

Në samitin e radhës pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve bilaterale.

Sipas presidencës serbe, liderët pritet të takohen me përfaqësues të institucioneve që merren me tërheqje të investimeve dhe të grupeve të krizave për furnizim me ushqim dhe energji.

Nga kabineti i kryesuesit të presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se, Tegeltija nuk ia ka konfirmuar pjesëmarrjen presidencës së Bosnjës.

“Presidenca e Bosnje-Hercegovinës nuk ka qëndrim për t’iu bashkuar iniciativës Ballkani i Hapur dhe as kryetari i Këshillit të Ministrave nuk ka ofruar hollësi lidhur me pjesëmarrjen e tij në Beograd”, ka thënë kabineti i Xhaferoviqit.

Vetë Tegeltija ka thënë në Ohër se “Bosnje-Hercegovina nuk ka konsensus për Ballkanin e Hapur”.

“Arsyet (për mungesë konsensusi) dalin nga paragjykimet rreth asaj se kush e ka propozuar iniciativën, kush do të përfitojë, a përbën ajo zëvendësim për Bashkimin Evropian, por lidhet edhe me ndikimet politike. Jam këtu, sepse e di që komuniteti i biznesit në Bosnje mbështet ‘Ballkanin e Hapur’”, ka thënë ai.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje që mëtojnë të lehtësojnë lëvizjen në mes të shteteve.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë përkrahur këtë nismë, ndonëse kanë përsëritur se për të qenë e suksesshme, në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet.

XS
SM
MD
LG