Ndërlidhjet

Përfaqësuesi i Lartë anulon vendimin e Republikës Sërpska për pronat shtetërore


Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, gjatë konferencës për media më 12 prill 2022.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka anuluar një përpjekje të autoriteteve të entitetit të Republikës Sërpska për të transferuar pronën shtetërore.

Të martën, më 12 prill, Schmidt pezulloi dekretin e presidentes së Republikës Sërpska, Zheljka Cvijanoviq, për shpalljen e Ligjit për pronat e paluajtshme që përdoren për funksionimin e autoriteteve publike. Schmidt tha se ky vendim do të vlejë deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

Me këtë vendim, Përfaqësuesi i Lartë ka shfuqizuar Ligjin për pronat e paluajtshme në Republikën Sërpska, duke përdorur për herë të parë fuqitë e Bonit. Këto fuqi parashohin që Zyra e Përfaqësuesit të Lartë mund të paraqesë ose ndryshojë ligje, të shkarkojë zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar politikë, si dhe zyrtarë të tjerë.

“Vetëm shteti i Bosnjë e Hercegovinës mund të ketë në pronësi pronën shtetërore”, tha Schmidt gjatë një konference për media.

Kushdo që nuk respekton vendimin e Përfaqësuesit të Lartë mund të dënohet, pasi një gjë e tillë konsiderohet krim.

“Vendimet që mora sot nuk e minimizojnë në asnjë mënyrë statusin e entitetit të Republikës Sërpska”, tha Schmidt.

“U bëj thirrje të gjithëve në Bosnjë e Hercegovinë që të ulen dhe të diskutojnë së bashku për të ardhmen e pronës shtetërore, që të arrijnë një zgjidhje të arsyeshme për pronën shtetërore, çështje që është e pazgjidhur që 14 vjet”, tha Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë.

“Politika në demokraci kërkon që të gjithë të kontribuojnë për shtetin, dhe jo vetëm të shikojnë xhepat e tyre. Të gjithë në këtë shtet duhet të marrin drejt pjesën e tyre, qofshin ato entitete apo kantone. Por, nuk duhet të ketë vendime të njëashme. Thirrja ime është që të uleni me vëllezërit tuaj dhe të bisedoni, të merrni vendime dhe të mos bëni legjislacione joligjore”, tha ai.

Vendimet e Schmidtit hyjnë në fuqi pas publikimit në faqen e internetit në Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Schmidt porositi që “kushdo që nuk respekton këto vendime të mia do të ketë pasoja ligjore”.

“Kam përdorur fuqitë e mia për të çuar vendin përpara”, përfundoi ai.

Ligji për pronën e paluajtshme u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska më 5 prill, pasi ishte miratuar në Parlamentin e këtij entiteti më 10 shkurt.

Ky ligj parashihte që pronat e paluajtshme në pronësi të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës të bëhen prona të Republikës Sërpska.

Sipas ligjit të anuluar, pasuria e paluajtshme që përdoret nga institucionet e etnive, nga njësitë e vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe shërbimet e tjera publike të themeluara nga Republika Sërpska, duhet të regjistrohen në këtë entitet.

Schmidt më 7 prill u kishte bërë thirrje autoriteteve në Republikën Sërpska që të shfuqizojnë këtë ligj. Ai kishte rikujtuar vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës që kishte emëruar shtetin e Bosnjë e Hercegovinës si titullar të të gjitha pasurive shtetërore, përfshirë edhe pronat e ish-Federatës Jugosllave, por edhe të mirave publike. Schmidt kishte thënë se rregullimi i çështjes së pronave është kompetencë ekskluzive e Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës.

XS
SM
MD
LG