Ndërlidhjet

Protestë në Republikën Sërpska kundër rinumërimit të votave


Protesta në Banja Llukë më 25 tetor 2022.

Mbështetësit e koalicionit qeverisës në Republikën Sërpska kanë protestuar më 25 tetor në Banja Llukë, duke kërkuar që autoritetet zgjedhore t’i japin fund rinumërimit të votave për president.

Republika Sërpska është një prej tri entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë. Zgjedhjet e përgjithshme në këtë shtet u mbajtën më herët gjatë këtij muaji.

Millorad Dodik, lideri de fakto i serbëve të Bosnjës dhe president i partisë më të madhe në Republikën Sërpska, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, udhëhoqi protestën, në të cilën, sipas policisë morën pjesë 30.000 persona.

Protestuesit mbanin fotografi të Dodikut dhe valëvitën flamujt partiakë, duke akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po tenton të zhbëjë vullnetin e serbëve për ta zgjedhur Dodikun si lider të tyre.

Gjatë fjalimit para protestuesve, Dodik u zotua se do të luftojë për të drejtën e serbëve “për të zgjedhur se si duan të jetojnë” dhe akuzoi politikanët perëndimorë dhe ata jo-serbë në Bosnje për “urrejtje” dhe se po tentojnë "të zhdukin" Republikën Sërpska.

“Ne nuk do të heqim dorë nga liria jonë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, tha Dodik, partia e të cilit po kundërshton rinumërimin e votave.

“Unë besoj fuqishëm në idenë e një Republike Sërpska të pavarur”, shtoi ai.

Protesta u nxit pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të rinumërojë votat e zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 2 tetor. Rinumërimi po bëhet për zgjedhjet për president dhe nënpresidentë në Republikën Sërpska.

Dodik, që është anëtar i Presidencës trepalëshe, garoi për president të Republikës Sërpska. Kundërkandidate e tij ishte Jelena Triviq, nga Partia Përparimtare Demokratike.

Autoritetet zgjedhore nisën rinumërimin e votave pas shqetësimeve se integriteti i procesit zgjedhor është cenuar dhe dyshimeve për mashtrime zgjedhore.

Prokurorët shtetërorë dhe zyrtarët policorë po mbikëqyrin rinumërimin e votave, proces që po zhvillohet në Sarajevë. Dodik po kërkon që ky proces të kryhet në Republikën Sërpska.

Qytetarët nga e mbarë Republika Sërpska morën pjesë në protestë. Ata u mblodhën në qendër të qytetit dhe marshuan për dhjetë minuta, dhe më pas Dodik iu adresua protestuesve.

Pjesëtarët e opozitës veçse kanë mbajtur dy protesta në Republikën Sërpska, për të shprehur shqetësimet për mashtrimet zgjedhore dhe për të shprehur mbështetjen për rinumërimin e votave.

Opozita po ashtu po kërkon që disa persona të ndiqen penalisht, përfshirë edhe Dodiku, i cili është subjekt i sanksioneve perëndimore për shkak të aktiviteteve të tij për ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

XS
SM
MD
LG