Ndërlidhjet

Brexit-i do të ndodhë me marrëveshje?


Një mbështetës i largimit të Britanisë nga BE-ja mban në duar një pankartë ku shkruan: “Ne kemi votuar që të largohemi”.
Një mbështetës i largimit të Britanisë nga BE-ja mban në duar një pankartë ku shkruan: “Ne kemi votuar që të largohemi”.

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar për një marrëveshje të të re për Brexit-in.

Marrëveshja mes dy delegacioneve është arritur para se të mbahet një takim i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian.

Të dyja palët kanë punuar në tekstin ligjor të një marrëveshjeje, por do të ketë ende nevojë për miratimin e parlamenteve të Britanisë së Madhe dhe atij evropian.

Arritjen e marrëveshjes e konfirmoi kryeministri britanik, Boris Johnson, në rrjetin social Twitter.

"Ne kemi marrë një marrëveshje të re", shkroi Johnson.

Edhe presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, njoftoi për arritjen e marrëveshjes, duke thënë se negociatorët e BE-së dhe të Britanisë së Madhe kanë arritur një marrëveshje që do të mundësojë daljen e vendit nga Bashkimi Evropian.

"Kur ka një vullnet, ka një marrëveshje dhe ne kemi një! Ashtë një marrëveshje e drejtë dhe e ekuilibruar për BE-në dhe Britaninë e Madhe", shkroi Juncker.

Afati për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian është 31 tetori.

Deri më tash palët kanë pasur mosmarrëveshje kryesisht për shkak të kontrolleve në kufirin irlandez, pas Brexit-it.

Një marrëveshje e negociuar nga ish-kryeministrja britanike, Theresa May, ishte refuzuar disa herë nga Parlamenti britanik.

Udhëheqësi i laburistëve opozitarë, Jeremy Corbyn, tha se marrëveshja e re duhet të refuzohet nga ligjvënësit, pasi ajo duket se është “edhe më e keqe” sesa ajo që u negociua nga ish-kryeministrja May.

Detajet e marrëveshjes

Irlanda Veriore mbetet në zonën doganore të Britanisë së Madhe, por nën një sistem kompleks, por të gjitha procedurat e BE-së do të zbatohen atje për mallrat që mbërrijnë.

Nuk do të ketë kontrolle doganore në ishullin e Irlandës, pasi ato do të bëhen në porte.

Mallrat që shkojnë nga Britania e Madhe në Irlandën Veriore nuk do t'i nënshtrohen tarifave.

Përfaqësuesit e Irlandës Veriore do të jenë në gjendje të vendosin çdo katër vjet nëse do të vazhdojnë të zbatojnë rregullat e Unionit.

Michele Barnier, shefi negociator i Bashkimit Evropian për Brexit, i tha BBC-së se pika e fundit, duke lejuar votimin në Asamblenë e Irlandës Veriore, ishte një "gur themel i marrëveshjes së re".

Reagime pas arritjes së marrëveshjes

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai kishte "lajme të mira për të filluar ditën".

Kryeministri britanik, Boris Johson dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Kryeministri britanik, Boris Johson dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.


"Marrëveshja tani duhet të shpjegohet teknikisht. Ajo do të finalizohet në orët e ardhshme. Për sa i përket mua, unë jam i kënaqur që ne e arritëm këtë dhe jam i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në Parlamentin britanik dhe Evropian", tha Macron.

Kryeministri finlandez, Antti Rinne, i tha Reuters se topi ishte në oborrin e shtëpisë së Parlamentit britanik.

"Shpresoj se do të kalojë këtë herë. Shpresoj se ne jemi afër fundit të procesit. Sidoqoftë, ka dyshime - për shembull brenda Parlamentit britanik", tha ai.

Ministri i Jashtëm i Irlandës ka mirëpritur marrëveshjen e re të Brexit, duke thënë se kjo është një 'hap i madh'.

"Kjo është një marrëveshje që përfshin të gjitha pyetjet që kemi bërë gjatë tre vjetëve të fundit. Është një marrëveshje që do të mbrojë njerëzit e këtij ishulli, do të mbrojë paqen dhe tregtinë e këtij ishulli", tha Simon Coveney.

Prokurori i Përgjithshëm i Mbretërisë së Bashkuar tha që teksti i marrëveshjes ishte dukshëm i ndryshëm nga ai i arritur nga ish-kryeministri Theresa May dhe BE.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG