Ndërlidhjet

Zemërim në Britani pasi Johnson detyroi pezullimin e Parlamentit


Protesta kundër Brexit-it në Londër, 28 gusht, 2019

Vendimi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, për të pezulluar punën e Parlamentit nxiti reagime të ashpra nga deputetët dhe kundërshtarët e Brexit-it pa marrëveshje.

Ai po ashtu shkaktoi protesta në gjithë Britaninë dhe një peticion me më shumë se një milion nënshkrime.

Mbretëresha Elizabeta II, të mërkurën, e miratoi zyrtarisht kërkesën e Johnsonit për të pezulluar punën e Parlamentit para Brexit-it, apo largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Brexit-i pritet të ndodhë më 31 tetor dhe pezullimi i punës së Parlamentit do të zvogëlojë dukshëm kohën e ligjvënësve për të diskutuar largimin nga blloku.

Johnson do që Brexit-i të ndodhë më 31 tetor, me ose pa marrëveshje me BE-në, edhe pse institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse e lë bllokun pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Kryetari i Parlamentit britanik, Jacob Rees-Mogg, tha se kundërshtarët e kryeministrit nuk janë të sinqertë dhe “thjesht duan të qëndrojnë në BE”.

Jeremy Corbyn, udhëheqës i Partisë Laburiste në opozitë, tha se pezullimi i punës së Parlamentit është “një goditje e fortë kundër demokracisë" dhe përsëriti se mund të thërrasë një votim mosbesimi ndaj Qeverisë së Johnsonit.

Mijëra njerëz protestuan në Londër, Mançester, Edinburg dhe qytete të tjera, ndërsa një peticion në internet që e dënon vendimin për Parlamentin mblodhi më shumë se 1.1 milion nënshkrime deri në mëngjesin e së enjtes.

Derisa Johnson këmbënguli se Parlamenti do të ketë mundësi për të debatuar mbi programin e përgjithshëm të qeverisë dhe qasjen ndaj Brexit-it, udhëheqësja e Demokratëve Liberalë në opozitë, Jo Swinson, i tha BBC-së se kryeministri “është i gatshëm t’i heshtë zërat e njerëzve përmes përfaqësuevse të tyre në Parlament”.

Ish-kancelari Philip Hammond u zotua se do të vazhdojë të luftojë kundër Brexit-it pa marrëveshje, ndërsa vendimin e Johnsonit për të pezulluar punën e Parlamentit e cilësoi si "thellësisht jodemokratik".

Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, tha se Johnson po vepron si “diktator”, duke bërë “një sulm të egër mbi parimet themelore demokratike”.

Data për Brexit është shtyrë dy herë.

Parlamenti britanik e ka refuzuar tri herë marrëveshjen për dalje, e cila është arritur vitin e kaluar midis Brukselit dhe qeverisë së paraardhëses së Johnsonit, Theresa May.

BE-ja ka thënë se nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes.

Me vendimin e së mërkurës, puna e Parlamentit do të pezullohet jo më herët se 9 shtatori dhe jo më vonë se 12 shtatori.

Vendimi i dominoi artikujt e gazetave të enjten. Times tha se Johnson “e ka shtyrë Britaninë “në prag të një krize kushtetuese”, ndërsa Guardian parashikoi një "përplasje historike parlamentare" pasi kundërshtarët kërkojnë të parandalojnë një Brexit pa marrëveshje.

Financial Times, në një shkrim editorial, tha se pezullimi i punës së Parlamentit "është një sulm ndaj demokracisë".

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një postim në Twitter shprehu mbështetjen e tij për Johnsonin, duke thënë se "do të jetë shumë e vështirë" për Corbynin që të kërkojë një votë mosbesimi kundër kryeministrit, "marrë parasysh se Boris është pikërisht ai që Mbretëria e Bashkuar e ka kërkuar ".

Britania ka vendosur të dalë nga BE-ja përmes një referendumi në vitin 2016.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG