Ndërlidhjet

Britania nuk beson që do të shtyhet afati i evakuimit nga Afganistani


Qytetarët në Kabul duke u evakuuar me një avion të ushtrisë amerikane.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace tha se ka pak gjasa që operacionet e evakuimit nga aeroporti i Kabulit të shtyhen pas 31 gushtit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden po përballet me presion për të zgjatur afatin për evakuimin e mijëra personave që po ikin nga talibanët dhe -Biden pritet që më 24 gusht të bisedojë me liderët e G7-ës për situatën në Afganistan.

Militantët talibanë kanë paralajmëruar se 31 gushti është afati për tërheqjen e trupave ndërkombëtare dhe se kjo datë është “vijë e kuqe” për këtë grup.

Wallace tha për Sky News se ai kishte mëdyshje nëse do të ketë zgjatje të këtij afati “jo vetëm sepse talibanët kanë thënë këtë gjë, por gjithashtu nëse shikoni deklaratat publike të presidentit Biden, mendoj se ka pak gjasa të ndodhë”.

Ai shtoi se megjithatë “ja vlen që të gjithë ne të provojmë dhe ne do ta bëjmë”.

Evakuimet nga Kabuli po vazhdojnë teksa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët po nguten që të evakuojnë qytetarët e tyre dhe afganët që janë në rrezik nga talibanët, të cilët morën kontrollin e kryeqytetit më 15 gusht.

XS
SM
MD
LG