Ndërlidhjet

Britania largon nga Afganistani një grup të komunitetit LGBT


Gjatë një proteste të grave në Afganistan më 21 tetor.
Gjatë një proteste të grave në Afganistan më 21 tetor.

Dhjetëra afganë që i përkasin komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) kanë mbërritur në Britani të Madhe pasi ky vend dhe organizatat për të drejtat e homoseksualëve u angazhuan për t’i larguar ata nga Afganistani.

Talibanët morën kontrollin e Afganistanit, në muajin gusht, pas tërheqjes së forcave amerikane dhe të aleatëve.

Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe tha se shpreson që gjatë muajve të ardhshëm të largojë nga Afganistani më shumë grupe të komunitetit LGBT.

"Ne luajtëm një rol kyç në largimin e këtyre njerëzve dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar afganët e rrezikuar të largohen nga vendi", tha ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss në një deklaratë.

Në mesin e 29 afganëve ka studentë dhe aktivistë që kanë ngritur vazhdimisht zërin në mbrojtje të barazisë për komunitetin LGBT në Afganistan.

Talibanët sundojnë me rregulla të ashpra të ligjit islamik – Sheriatit, dhe shumë grupe të njerëzve ndjehen të rrezikuar.

Personat e komunitetit LGBT janë ndër grupet më të cenueshme në Afganistan.

Ministria britanike thotë se shumë prej tyre përballen me nivele të rritura të persekutimit, diskriminimit dhe sulmit.

Grupi i afganëve do të mbështetet nga Stonewall, Micro Rainbow dhe organizata të tjera bamirëse që mbështetin komunitetin LGBT për të krijuar jetën e tyre të re në Britani të Madhe.

“Po krijohen shtëpi të sigurta për afganët”, tha Sebastian Rocca, shefi ekzekutiv i Micro Rainbow.

Organizata gjithashtu do t'i ndihmojë ata të kenë qasje në këshillim, kujdes shëndetësor dhe gjetjen e vendeve të punës, tha Rocca.

Stonewall dhe organizata kanadeze Rainbow Railroad ishin pjesë e përpjekjeve për ta çuar grupin në Britani, tha Ministria e Jashtme.

XS
SM
MD
LG