Ndërlidhjet

Britania rrit ndihmën ushtarake për Ukrainën


Kryeministri britanik, Boris Johnson.
Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka përshkruar rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit rus si “kohën më të mirë” të këtij shteti, në një adresim para Parlamentit në Kiev.

Duke folur përmes video-lidhjes, ai ka bërë të ditura detajet e ndihmës ushtarake britanike prej 300 milionë funtash për Ukrainën.

Ai ka thënë se në të do të përfshihen pajisje elektronike të luftës, sisteme radari, përgjues dhe pajisje që u ndihmojnë ushtarëve natën.

Adresimi i Johnsonit vjen pas një vizite të paparalajmëruar në Kiev muajin e kaluar.

Përgjatë fjalimit ai ka përsëritur fjalët e ish-kryeministrit britanik, Winston Churchill, ashtu siç ka bërë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kur ka folur para deputetëve britanikë në muajin mars.

Johnson ka thënë se edhe Parlamenti britanik është mbledhur përgjatë Luftës së Dytë Botërore, sikurse Parlamenti ukrainas së fundi, dhe se britanikët kanë treguar “unitet dhe vendosmëri, të cilën e kujtojmë si kohën më të mirë”.

“Kjo është koha më e mirë e Ukrainës, e cila do të kujtohet nga gjeneratat e së ardhmes”, ka thënë ai.

Në një intervistë për mediat britanike, para mbajtjes së fjalimit, Johnson ka thënë se Britania është duke udhëhequr botën në ofrimin e ndihmës për Ukrainën, me qëllim të “mbrojtjes së vetes”.

Ndërkohë, Komisioni Evropian pritet të propozojë paketë të re masash, duke përfshirë embargo në naftën ruse, kanë thënë zyrtarët.

Sanksionet do të shënjestrojnë bankën më të madhe ruse, Sberbank, e cila do të përjashtohet nga sistemi SWIFT, kanë thënë disa diplomatë pa u identifikuar.

Si e dëmton Rusinë përjashtimi nga sistemi SWIFT?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Në qytetin jugor të Ukrainës, Mariupol, përpjekjet për evakuim të civilëve janë penguar, pasi Rusia ka rinisur bombardimet në fabrikën e çelikut Azovstal, ku qindra njerëz kanë mbetur të bllokuar, një ditë pasi grupi i parë ka dalë nga bunkerët nëntokësorë.

Zëvendëskryetari i Mariupolit, Sergei Orlov, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC, se negociatat e nivelit të lartë janë duke vazhduar në mes të Ukrainës, Rusisë dhe organizatave ndërkombëtare për më shumë evakuime.

Përpjekjet e kaluara për të hapur korridore të sigurta në këtë qytet, kanë dështuar.

Mariupoli: Si u shndërrua në varrezë një qytet i begatshëm
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:16 0:00

Lokacioni strategjik i Mariupolit – afër Gadishullit të Krimesë – e ka bërë këtë qytet shënjestër të bombardimeve të vazhdueshme ruse, duke e shkatërruar këtë vend që para luftës kishte rreth 400,000 banorë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin e Krimesë më 2014.

Aktualisht besohet se rreth 100,000 njerëz janë ende në Mariupol, duke përfshirë rreth 2,000 ushtarë ukrainas që gjenden në kompleksin Azovstal, pjesën e vetme të qytetit që nuk është pushtuar nga rusët.

Për luftime është raportuar edhe në qytetin Odesa dhe në lindje të Ukrainës.

Këshilli i qytetit të Odesas, ka thënë se një djalosh 15-vjeçar është vrarë si pasojë e sulmeve ruse.

Prej kur Rusia ka nisur luftën e paprovokuar më 24 shkurt, trupat e saj kanë dështuar të marrin kontrollin e ndonjë qyteti të madh ukrainas.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Moska është duke planifikuar që të marrë edhe zyrtarisht kontrollin e rajoneve në lindje të Ukrainës.

Michael Carpenter, ambasadori amerikan në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSCE), ka thënë se Rusia është duke synuar që të aneksojë territoret e Donjeckut dhe Luhanskut në rajonin Donbas përmes referendumeve, pasi nuk ka arritur të rrëzojë Qeverinë në Kiev.

Rusia është përballur me rezistencë të ashpër në rajonet rreth Kievit dhe Çernihivit, prandaj ka zhvendosur trupat në jug dhe lindje të shtetit, ku luftimet janë shtuar ditëve të fundit.

Juglindja e Ukrainës është zonë strategjike për Rusinë, pasi mundëson lidhjen me Krimenë.

Moska ka rritur shqetësimet se mund të zgjerohet edhe më shumë, përkatësisht në rajonin e shkëputur të Moldavisë, Transdniestër.

Moldavia ndan kufirin me Rumaninë, vend anëtar i NATO-s.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë më 2 maj që presidenti rus, Vladimir Putin, duhet t’i japë fund luftës dhe “vrasjeve të pakuptimta”.

Pasi ka takuar kryeministrin indian, Narendra Modi në Berlin, Scholz ka thënë se Putin nuk do të shohë heqje të sanksioneve pa arritur marrëveshje për paqe me Ukrainën.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG