Ndërlidhjet

Britania sanksionon dy politikanë serbë të Bosnjës


Millorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Zhelka Cvijanoviq, presidente e entitetit Republika Sërpska. Fotografi e 3 tetorit 2018.
Millorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Zhelka Cvijanoviq, presidente e entitetit Republika Sërpska. Fotografi e 3 tetorit 2018.

Britania e Madhe ka sanksionuar politikanët serbë të Bosnjës, Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq, për shkak të përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës.

Sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalesë në udhëtim, janë të parat kundër zyrtarëve në Bosnje, që bëhen të ditura nga Mbretëria e Bashkuar.

Dodik është anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Cvijanoviq është presidente e entitetit Republika Sërpska.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss ka akuzuar dy zyrtarët se janë trimëruar nga agresioni i presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë.

“Të dy politikanët janë duke minuar me qëllim paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë Truss.

“Të inkurajuar nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”.

Dodik paralajmëron ndërprerjen e marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar

Duke reaguar ndaj sanksioneve, Dodik ka thënë se do të ndërpresë marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Dodik ka thënë se nuk brengoset për sanksionet, pasi nuk ka asnjë pronë në Britani dhe se nuk ka qenë atje tash e 10 vjet.

Më 5 janar të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit ka vënë po ashtu sanksione ndaj Dodikut.

Departamenti amerikan i Thesarit pati thënë atëbotë se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes".

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

XS
SM
MD
LG