Ndërlidhjet

Çfarë duhet të dini për variantin Delta?


Një shkencëtare duke analizuar qelizat e infektuara me koronavirus. Fotografi nga arkivi.
Një shkencëtare duke analizuar qelizat e infektuara me koronavirus. Fotografi nga arkivi.

Në Kosovë, më 29 qershor, autoritetet shëndetësore njoftuan se kanë regjistruar dy raste me variantin Delta të koronavirusit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të dy pacientët tashmë janë shëruar.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në Indi në tetorin e vitit 2020, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është futur në grupin e varianteve shqetësuese të sëmundjes COVID-19. Aty bëjnë pjesë edhe varianti Alfa (i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe), Beta ( i identifikuar fillimisht në Afrikë të Jugut) dhe Gama (i identifikuar fillimisht në Brazil).

Variantet që bëjnë pjesë në këtë grup janë më ngjitëse, më vdekjeprurëse ose më rezistente ndaj vaksinave ekzistuese kundër COVID-19.

Delta mund të shtypet, por si?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:25 0:00

Varianti Delta tashmë është përhapur në mbi 90 shtete të botës dhe OBSH-ja ka thënë se Delta po bëhet varianti dominues i koronavirusit në mbarë botën.

Shefja e shkencëtarëve në OBSH, Soumya Swaminathan, ka deklaruar më 18 qershor se studimet kanë sugjeruar se varianti Delta është rreth 60 për qind më i transmetueshëm se varianti Alfa, që konsiderohet si variant më ngjitës se varianti origjinal i COVID-19, që u përhap fillimisht në Vuhan të Kinës, në fund të vitit 2019.

Varianti Delta tashmë është dominues në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa shkencëtari kryesor për sëmundje ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, e ka cilësuar këtë variant si “kërcënimin kryesor” në përpjekjet e SHBA-së për ta mposhtur pandeminë COVID-19.

Sipas të dhënave të Shëndetit Publik të Anglisë, që është agjencia kryesore britanike për shëndetësi, mbi 90 për qind e rasteve me COVID-19 janë me variantin Delta. Sipas kësaj agjencie, varianti Delta ka 64 për qind më shumë mundësi që të përhapet brenda familjeve, sesa varianti Alfa.

Ndërkaq, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka thënë më 23 qershor, se pret që deri në fund të muajit gusht, varianti Delta të përbëjë 90 për qind të rasteve me COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian.

“Fatkeqësisht, të dhënat fillestare (të studimeve) tregojnë se (varianti Delta) mund të prekë njerëzit që kanë marrë dozën e parë të vaksinave ekzistuese. Ka shumë gjasa që varianti Delta të qarkullojë gjerësisht gjatë verës, veçanërisht në mesin e të rinjve, të cilët ende nuk janë në listë për t’u vaksinuar. Kjo gjë mund të rrisë rrezikun që njerëzit më të ndjeshëm të infektohen dhe të përjetojnë sëmundje të rëndë dhe vdekje, nëse nuk janë të vaksinuar plotësisht”, ka thënë ECDC-ja.

Edhe Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e kanë klasifikuar si variant shqetësues variantin Delta.

Për dallim nga varianti fillestar i koronavirusit, që karakterizohet me simptoma si temperaturë, dhembje muskujsh, probleme me frymëmarrje, humbje të shijes apo nuhatjes, personat që po preken nga varianti Delta, sipas ekspertëve, po përjetojnë kryesisht këto simptoma: dhembje të kokës e fytit dhe rrjedhje nga hunda.

Këto simptoma, sipas ekspertëve, janë shumë të ngjashme me ato të gripit sezonal, prandaj rritet edhe rreziku që shumë të infektuar të mos izolohen dhe të përhapin edhe më tej sëmundjen.

A janë efektive vaksinat ekzistuese ndaj variantit Delta?

Që prej përhapjes së variantit Delta janë kryer disa studime, për të parë nëse vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 janë efektive ndaj këtij varianti.

Sipas një studimi të kryer nga hulumtuesit e Universitetit të Oksfordit, vaksina e prodhuar nga AstraZeneca dhe ajo nga Pfizer/BioNTech mbeten gjerësisht efektive ndaj variantit Delta.

Ky studim, gjetjet e të cilit janë publikuar në gazetën shkencore Cell, ka hetuar aftësinë e antitrupave në gjakun e njerëzve, të cilët janë vaksinuar me të dyja dozat, për të neutralizuar variantin ngjitës Delta.

Megjithatë, hulumtuesit thanë se kanë parë rënie të përqendrimit të antitrupave në gjak, duke shtuar se kjo gjë mund të çojë në disa infektime me COVID-19.

Si funksionon vaksina e re Novavax?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Sipas gjetjeve të Shëndetit Publik në Angli, vaksinat e këtyre dy kompanive kanë ofruar mbi 90 për qind mbrojtje ndaj hospitalizimeve nga varianti Delta.

Kompania farmaceutike Moderna ka thënë se në një studim të kryer, ku është analizuar gjaku i personave që kanë marrë dozën e dytë të vaksinës një javë më parë, është gjetur se vaksina e kësaj kompanie, ka shkaktuar përgjigje të antitrupave kundër të gjitha varianteve të testuara.

Sipas studimit, vaksina Moderna është shumë më efektive në prodhimin e antitrupave ndaj variantit Delta sesa ndaj variantit Beta, që fillimisht është identifikuar në Afrikën e Jugut.

“Këto të dhëna të reja janë inkurajuese dhe përforcojnë besimin tonë se vaksina Moderna do të vazhdojë të ofrojë mbrojtje ndaj varianteve të reja që janë zbuluar”, tha shefi ekzekutiv i Moderna-s, Stephane Bancel.

Pavarësisht se disa studime sugjerojnë se vaksinat janë efektive ndaj variantit Delta, OBSH-ja u ka bërë thirrje edhe njerëzve që janë të vaksinuar plotësisht, të vazhdojnë të mbajnë maska dhe distancë fizike.

“Njerëzit nuk duhet të ndihen të sigurt për faktin se kanë marrë dy dozat e vaksinës. Ata ende duhet të mbrojnë vetveten”, ka deklaruar Mariangela Simoa, ndihmësdrejtoresha e përgjithshme e OBSH-së për qasje në ilaçe dhe produkte shëndetësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG