Ndërlidhjet

Çfarë ndikimi kanë SHBA-ja dhe aleatët mbi talibanët në Afganistan?


Afganistan: një grup talibanësh qëndrojnë pranë një automjeti ushtarak në Kabul, më 1 shtator, 2021.
Afganistan: një grup talibanësh qëndrojnë pranë një automjeti ushtarak në Kabul, më 1 shtator, 2021.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, mund ta kenë lënë Afganistanin në duart e talebanëve, por ata ende kanë "fuqi" për t'i bërë militantët islamikë, të respektojnë zotimet e tyre, për të lejuar njerëzit të largohen nga vendi, raporton Reuters, fjalët e presidentit amerikan, Joe Biden.

Kjo është theksuar nga zyrtarë amerikanë dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë, të cilët besojnë se talebanët mund të nënshtrohen nën presionin për të braktisur dhunën e tyre të mëparshme dhe mbështetjen për terrorizmin, sipas masës së karotës dhe shkopit, duke pasur parasysh varësinë e madhe të Afganistanit nga energjia e importuar, ushqimi dhe ndihmat e huaja si dhe ekonomia e tij e lëkundur.

Këtu janë disa nga levat më të rëndësishme që i ka Perëndimi në dorë, për t'i detyruar talibanët që të respektojnë të drejtat e grave dhe të bashkëpunojnë me vendet e tjera:

Miliarda në ari, këmbime të huaja dhe rezerva të veçanta

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një rol të madh që duhet luajtur, për të vendosur se çfarë do të ndodhë me rezervat prej 9 miliardë dollarësh të Afganistanit në ar dhe në valuta të huaja. Prej tyre, 7 miliardë dollarë mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 1.3 miliard dollarë në llogari të tjera ndërkombëtare dhe rreth 700.000 dollarë nga Banka për Pagesat Ndërkombëtare, tha në Twitter guvernatori i Bankës Qendrore Afgane, pasi iku nga vendi.

Uashingtoni i ndaloi shpejt pas marrjes së Afganistanit nën kontroll nga talibanët, kur Qeveria amerikane bllokoi grupin e talibanëve që të mos hynte në asetet e Bankës Qendrore, të mbajtura nga Qeveria afgane në Rezervën Federale të Nju Jorkut ose diku tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një zyrtar i administratës, tha se talibanët nuk kishin qasje në asetet e Bankës Qendrore, të mbajtura nga Qeveria afgane në Rezervën Federale të Nju Jorkut ose diku tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se asetet mbeten të ngrira.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pezulluar qasjen e Afganistanit në fondet e FMN-së më 18 gusht, duke përfshirë edhe 440 milionë dollarë nga rezervat e reja të emergjencës.

Uashingtoni është nën presion nga disa grupe humanitare, nga zyrtarë të Bankës Qendrore afgane si dhe nga qeveritë e huaja duke përfshirë Rusinë, për të lehtësuar ngrirjen e aseteve dhe për të lejuar disa dërgesa dollarësh, një lëvizje kjo që ka të ngjarë të ndodhë nën kushte të vështira.

Talibanët, ka gjasa të kthehen në trafikun me narkotikë ose armë, tha të hënën një zyrtar rus.

Mbështetja në importe

Afganistani mbështetet në importe për pjesën më të madhe të ushqimit dhe karburantit që konsumon si dhe të veshjeve.

Afganistani ka importuar 8.6 miliardë dollarë mallra në vitin 2019, kryesisht grurë dhe naftë, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Rreth 70 për qind e energjisë elektrike në Afganistan importohet me një kosto vjetore prej 270 milionë dollarësh.

Talibanët nuk mund të paguajnë për importe të tilla, pa pasur qasje në dollarë dhe rezervat valutore të Afganistanit. Kur i ishin ngrirë asetet, ai kishte rezerva të mjaftueshme sa për të paguar importet vetëm për dy ditë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, mund t'ua kushtëzojnë talibanëve qasjen në transaksionet dhe rezervat e dollarit, me sjelljen e tyre.

Ndihma e huaj

SHBA-ja luan një rol të madh edhe në këtë çështje, duke pasur parasysh ndikimin e saj si në Bankën Botërore, e cila mbikëqyr Fondin afgan të Rindërtimit Afgan, siç edhe në FMN dhe për shkak të miliardave që i ka dhënë qeverisë afgane dhe OJQ -ve në terren.

Banka Botërore ndërpreu fondet për Afganistanin, pasi që vendi u mor nën kontroll nga talibanët. E ardhmja e Fondit është e paqartë.

Javën e kaluar, Thesari i SHBA-së lëshoi një licencë të re por të kufizuar për qeverinë dhe partnerët, që u lejon të japin ndihma humanitare në Afganistan, një hap ky që mund t'i inkurajojë qeveritë e tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.

Para 15 gushtit, grantet për Afganistanin arritën në shifrat rreth 8.5 miliardë dollarë në vit ose rreth 43 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Afganët financuan 75 për qind të shpenzimeve publike, 50 për qind të buxhetit dhe rreth 90 për qind të shpenzimeve të qeverisë për sigurinë.

Çdo ridhënie e qasjes Afganistanit në këto burime, ka të ngjarë të kushtëzohet nga sjellja e talibanëve.

Sanksionet financiare

Talibanët në përgjithësi dhe udhëheqësit individualë talibanë, tashmë janë subjekt i sanksioneve të SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara, që në mënyrë efektive të ndalojnë qasjen e tyre në transaksionet e dollarit dhe në sistemin financiar amerikan.

Institucionet financiare perëndimore, po shmangin të bërit biznes me talibanët, kështu që ata nuk shkelin ligjin amerikan. Zbutja e këtyre sanksioneve do të kërkonte një proces të gjatë dhe kompleks nga Thesari i SHBA-së, thonë zyrtarët e administratës, por departamenti mund të japë licenca për më shumë transaksione, bazuar në varësi të sjelljes së talibanëve.

Refuzimi i sketorit të bankave private për të dhënë para

Presioni po rritet mbi sektorin bankar privat të Afganistanit, duke pasur parasysh ngrirjen e dërgesave të dollarit. Të 12-të bankat që operojnë në Afganistan, kërkojnë nga bankat jashtë shtetit që të përpunojnë transaksionet me dollarë si dhe tri banka që janë në pronësi të shtetit, duke qenë të kontrolluara drejtpërdrejt nga talibanët.

Citibank dhe bankat e tjera, kanë ndaluar së dhëni një mbështetje të tillë, për të shmangur çdo shkelje të mundshme të sanksioneve.

Dhoma Afgano-Amerikane e Tregtisë, e cila përfshin bankat afgane komerciale dhe investitorët e korporatave, po u kërkon zyrtarëve amerikanë që të lejojnë një infuzion të kufizuar parash, për të rigjeneruar besimin e publikut dhe për të shmangur panikun dhe dhunën e mundshme.

Remitancat

Afganistani gjithashtu mbështetet shumë në remitanca, me pagesa të tilla nga punëtorët migrantë jashtë shtetit, të cilët përbëjnë rreth 4 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të vendit.

Western Union, e cila është firma më e madhe në botë për transferimin e parave si dhe Moneygram, të dyja kanë pezulluar shërbime të tilla, duke mbyllur rrjedhën e fondeve, në të cilat mbështeten shumë familje për të paguar për ushqim. Rihapja e këtyre shërbimeve, do të kërkonte një lehtësim të sanksioneve financiare amerikane.

Përgatiti: Durim Abdullahu

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG