Kontrolli që Irani kishte mbi Ngushticën e Hormuzit i dha atij një ndikim të madh ndaj një vendi shumë më të fuqishëm, siç janë Shteteve të Bashkuara, për muaj me radhë. Por, ky kontroll po zbehet, edhe pse tregjet globale të energjisë ende nuk e kanë pasqyruar këtë ndryshim.
Tani, një tjetër pikë e ngushtë e transportit global po shfaqet si një front i mundshëm i konfliktit, qindra kilometra larg, në anën tjetër të Gadishullit Arabik.
Kapja e qytetit-port të Detit të Kuq, Mokha, nga huthët, të cilët përkrahin Iranin, si dhe përparimi i raportuar i tyre drejt Ngushticës Bab al-Mandab, i kanë dhënë papritur Jemenit një rëndësi të re në luftën më të gjerë.
Koha e këtyre zhvillimeve është veçanërisht e rëndësishme për Arabinë Saudite.
Meqë transporti detar përmes Hormuzit është ndërprerë, Riadi është mbështetur gjithnjë e më shumë te rrugët përmes Detit të Kuq për të dërguar naftën e tij drejt tregjeve globale. Eksportet detare saudite të naftës bruto përmes Bab al-Mandabit thuhet se ishin tetë herë më të larta nga marsi deri në mesin e korrikut, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Prania e huthëve pranë kësaj ngushtice i ofron grupit, rrjedhimisht, një mjet mbase të fuqishëm për të kërcënuar interesat saudite dhe i jep Iranit një burim tjetër ndikimi mbi rrjedhat rajonale të energjisë dhe transportin detar global.
Kjo, së bashku me sulmet e huthëve këtë javë ndaj infrastrukturës energjetike saudite, “ka kontribuar në një rritje të mëtejshme të çmimeve të naftës, që ka qenë synimi i Teheranit gjatë gjithë kohës”, tha Hamidreza Azizi, analist i lartë për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, me seli në Belgjikë.
“Prandaj, mund të pritet që këto zhvillime ta nxisin edhe më tej Teheranin t’u përmbahet kërkesave të tij dhe të mbajë një qëndrim edhe më sfidues ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha ai për REL-in.
Ringritja e huthëve nxjerr në pah gjithashtu kufizimet e fushatës amerikane kundër grupit. Pavarësisht javëve të tëra të sulmeve ajrore intensive amerikane, të cilat vitin e kaluar shënjestruan udhëheqjen, armët dhe infrastrukturën ushtarake të huthëve, grupi ka ruajtur kapacitetin për të ndërmarrë një ofensivë të madhe tokësore dhe për të kërcënuar rrugët kryesore detare.
Por, kjo nuk do të thotë domosdo se Teherani e urdhëroi ofensivën e huthëve.
Huthët janë aleatë të Iranit, jo përfaqësues të tij
Huthët janë të lidhur ngushtë me Iranin dhe kanë marrë prej tij armë, trajnime, informacione të inteligjencës dhe ndihmë teknike në masë të gjerë. Personeli iranian gjithashtu, sipas raportimeve, ka ndihmuar në drejtimin e operacioneve ushtarake të huthëve. Por, paraqitja e grupit thjesht si një përfaqësues i Iranit rrezikon të anashkalojë atë që e bën gjendjen e tanishme kaq të ndërlikuar.
“Gjithmonë e kam parë marrëdhënien e huthëve me Iranin si një partneritet strategjik dhe kjo është edhe më shumë e vërtetë tani sesa më parë”, tha Azizi.
Lëvizja Huthi ka udhëheqjen, interesat, ideologjinë dhe llogaritjet e veta. Ajo u shfaq nga konfliktet politike dhe sektare të vetë Jemenit shumë kohë para përballjes së tanishme mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Grupi ka dëshmuar vazhdimisht se është i aftë të marrë vendime në mënyrë të pavarur nga Teherani, edhe kur këto vendime përfundimisht u shërbejnë interesave strategjike të Iranit.
Pavarësisht mbështetjes iraniane ndër vite, huthët “kanë ambiciet e tyre lokale dhe, gjithnjë e më shumë, edhe rajonale, dhe e shohin veten si një fuqi rajonale”, sipas Azizit.
Rritja e peshës së lëvizjes Huthi vjen në një kohë kur Hezbollahu libanez, dikur një partner i fuqishëm i Iranit, ka pësuar goditje të rëndë, ndërsa Izraeli vazhdon ta çmontojë infrastrukturën e tij në jug të Libanit.
“Në këtë kontekst, përparimet e huthëve mund të rrisin moralin e mbështetësve të Republikës Islamike brenda Iranit, si dhe në gjithë rrjetin e saj rajonal”, argumentoi Azizi. “Ato mund të ndihmojnë gjithashtu në kompensimin e dobësimit më të gjerë të rrjetit të ndikimit të Iranit në rajon”.
Huthët përparojnë, Irani përfiton
Irani nuk ka patjetër të nevojshme t’i kontrollojë huthët që ata të veprojnë si një burim i fuqishëm ndikimi për Teheranin. Nëse huthët konsolidojnë fitoret e tyre përgjatë bregdetit perëndimor të Jemenit, Teherani mund të përfitojë nga trysnia mbi Bab al-Mandabin pa pasur nevojë të mbyllë drejtpërdrejt një tjetër rrugë ujore ndërkombëtare.
Për huthët, ndërkohë, lufta ofron mundësitë e veta.
Rënia e vijës mbrojtëse të qeverisë jemenase rreth Mokhës i jep grupit një mundësi për të zgjeruar pozicionin e tij territorial dhe ushtarak në bregdetin e Detit të Kuq, ndërsa forcon pozitën e tij në rajon.
Çdo kërcënim ndaj transportit detar mund t’u shërbejë njëkohësisht synimeve të huthëve në Jemen dhe përballjes më të gjerë të Iranit me Uashingtonin dhe partnerët e tij rajonalë.
“Fakti është se, në këtë moment, të dyja palët shohin përfitim nga koordinimi dhe përshkallëzimi i njëkohshëm”, tha Azizi.
Ai shtoi se përparimet e huthëve e kursejnë Iranin nga nevoja për t’u përfshirë drejtpërdrejt në një përballje me Arabinë Saudite, ndërsa ndërprerja e transportit detar nga huthët përmes Bab al-Mandabit dhe sulmet ndaj objekteve energjetike saudite “nuk do të kishin pasur të njëjtin ndikim që kanë tani, nëse Ngushtica e Hormuzit nuk do të ishte tashmë nën presionin e Iranit”.
Kjo gjithashtu i vendos Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara përballë një zgjedhjeje të vështirë.
Një përgjigje e madhe ushtarake mund ta shndërrojë Jemenin nga një konflikt paralel në një teatër aktiv të luftës me Iranin, duke nxitur potencialisht sulme të mëtejshme të huthëve ndaj territorit dhe infrastrukturës saudite.
Por, lejimi i huthëve që të konsolidojnë pozicionin e tyre rrezikon të lërë një lëvizje armiqësore ndaj Riadit në një pozitë më të fuqishme pranë një prej pikave kryesore të ngushta detare në botë.
Dilema është veçanërisht e madhe sepse Shtetet e Bashkuara tashmë po përpiqen të menaxhojnë një konflikt, pasojat ekonomike të të cilit shtrihen shumë përtej Lindjes së Mesme.
Ndërprerjet në furnizimin me naftë dhe në transportin detar kanë rritur kostot e energjisë dhe transportit, duke kërcënuar të nxisin inflacionin dhe të shtojnë presionin mbi një ekonomi tashmë të brishtë globale.
Rëndësia e zhvillimeve në Jemen, pra, nuk qëndron thjesht në faktin se huthët kanë pushtuar një tjetër qytet strategjik. Rëndësia qëndron te fakti se lufta mund të jetë duke krijuar një pikë të dytë presioni detar në një moment kur pika e parë, Ngushtica e Hormuzit, është bërë qendrore për ekonominë globale.