Ndërlidhjet

Çfarë ndodh pas referendumeve të ashtuquajtura të Rusisë në Ukrainë?


Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të deklarojë zyrtarisht të premten se rajonet e Ukrainës janë bërë pjesë e Rusisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të deklarojë zyrtarisht të premten se rajonet e Ukrainës janë bërë pjesë e Rusisë.

AFP

Të ashtuquajturat referendume, të mbajtura nga autoritetet që ka instaluar Kremlini në katër rajone të pushtuara të Ukrainës, kanë hyrë të martën në ditën e tyre të fundit.

Votimi, që mund të rezultojë me aneksimin e këtyre zonave nga Rusia, është cilësuar si përshkallëzim i fushatës së Moskës dhe si “fals” nga Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë.

Këto janë ato që do të ndodhin, sipas medias shtetërore ruse, bazuar në aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014:

Rezultate të shpejta

Ashtu sikurse aneksimi i Krimesë që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar, Kievi dhe aleatët e tij janë zotuar se nuk do t’i pranojnë rezultatet e këtyre të ashtuquajturave referendume.

Kremlini, megjithatë, është i etur t’u japë votimeve karakter legjitim.
Do të ketë një periudhë të numërimit të votave, pas së cilës “komisionet zgjedhore”, të ngritura nga Kremlini në secilin prej katër rajoneve, do t’i shpallin “rezultatet paraprake”.

Këto priten të martën në mbrëmje ose në fund të kësaj jave.

Roli i Parlamentit rus

Nëse rajonet votojnë për t’u aneksuar nga Rusia - që është një rezultat i pritshëm - Parlamenti rus, Duma e Shtetit, do të miratojë një traktat që i përfshin zyrtarisht të katër rajonet në territorin rus.

Fundjavën e kaluar, agjencitë ruse të lajmeve, TASS dhe Ria Novosti, kanë cituar burimet parlamentare të kenë thënë se projektligji për aneksim mund të propozohet të martën në mbrëmje dhe të miratohet nga Duma të mërkurën.

Kryetari i Parlamentit, Vyatcheslav Volodin, ka thënë javën e kaluar se “do të mbështesë” integrimin në Rusi të rajoneve: Luhansk dhe Donjeck në lindje dhe Zaporizhja dhe Herson në jug.

Projektligji më pas do të miratohet nga Dhoma e Lartë e Parlamentit - Këshilli i Federatës. Ky formalitet mund të përfundojë të mërkurën ose të enjten, sipas agjencive ruse të lajmeve.

Deklarata e Putinit

Po sipas tyre, presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të deklarojë zyrtarisht të premten se rajonet e Ukrainës janë bërë pjesë e Rusisë.

Kjo mund të bëhet përmes një fjalimi në Kremlin për anëtarët e njërës ose të të dyja dhomave të Parlamentit.

TASS ka raportuar se senatorëve u është thënë të bëjnë tri teste për sëmundjen COVID-19, në përgatitje për një “ngjarje të rëndësishme” të premten - një parakusht ky për të gjithë ata që takojnë presidentin në Kremlin.

Megjithatë, ka mundësi që Putin të dalë me njoftim edhe para së premtes.

Në vitin 2014, ai ka nënshkruar traktatin për përfshirjen e Krimesë në Rusi vetëm dy ditë pasi Kremlini ka mbajtur atje të ashtuquajturin referendum.

Nënshkrimi në një ceremoni të veçantë në Kremlin është bërë, madje, para se projekt-traktati t’i dorëzohej Parlamentit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG