Ndërlidhjet

Zvogëlimi i qarkullimit të automjeteve përmirëson cilësinë e ajrit


Prishtinë, mars, 2020.

Masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, sidomos reduktimi i lëvizjes së automjeteve, kanë ndikuar që në Kosovë të përmirësohet cilësia e ajrit deri në 50%, thonë zyrtarët.

Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina, thotë për Radion Evropa e Lirë se matja e cilësisë së ajrit bëhet në 12 stacione dhe se në të gjitha prej tyre ka rënie të dyoksidit të azotit, që është produkt i djegies së karburanteve nga automjetet.

“Transporti është një ndër ndotësit më të mëdhenj. Numri [i makinave] sillet rreth 400 mijë, duke mos numëruar makinerinë e rëndë, [pastaj] industrinë private, minierat e të tjera. Nëse krahasohet muaji mars i vitit të kaluar me periudhën e njëjtë të këtij viti, vërehet një përmirësim i dukshëm, deri në 50 për qind. Edhe pse janë burim i dytë i ndotjes, pas energjisë, automjetet kanë ndikuar shumë në zvogëlimin e ndotjes”, thotë Morina.

*Video nga arkivi: Patrullimi gjatë kufizimit të lëvizjes

Patrullimi gjatë kufizimit të lëvizjes
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:19 0:00

Cilësia e dobët e ajrit në Kosovë, prej vitesh, ka qenë temë debatesh. Sipas autoriteteve shëndetësore, në vazhdimësi është rritur edhe numri i pacientëve, të cilët kanë pasur sëmundje kronike, sidomos probleme me mushkëri.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë, brenda një viti, vdesin rreth 3 mijë persona, pikërisht nga ajri i ndotur.

Morina thotë se shteti i Kosovës duhet ta marrë seriozisht çështjen e ndotjes së ajrit dhe të investojë në përmirësimin e tij.

Sipas tij, vënia në funksion e linjave hekurudhore do të ndikonte në zvogëlim të ndotjes, pasi do të zvogëlonte numrin e automjeteve në qarkullim.

Si zgjidhje të tjera të mundshme, ai përmend krijimin e një transporti më të sofistikuar urban dhe rajonal, apo rritjen çmimeve të vend-parkimeve publike.

“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga ndotja e ajrit në vitin 2012 kanë vdekur rreth 7 milionë njerëz në botë. Ndërkaq, gjatë viteve të fundit, janë llogaritur 2 deri në 4.7 milionë vdekje në vit. Në Evropë vdesin deri në 300 mijë njerëz në vit nga ndotja e ajrit, derisa në Kosovë deri në 3 mijë persona”, thotë Morina, duke cituar të dhënat e OBSH-së.

Rukije Mehmeti, pulmologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se vërehet një numër më i vogël i të sëmurëve kronikë, që lajmërohen në institucionin ku ajo punon.

Por, ajo nuk mund të thotë nëse kjo ka ndodhur si rezultat i përmirësimit të cilësisë së ajrit, ose për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Aktualisht, klinika jonë është shndërruar në klinikë-konvikt, për t’i mbështetur pacientët me COVID-19, e që kanë probleme pulmologjike. Një pjesë të pacientëve tonë e kemi dërguar në alergologji, edhe pse ajo klinikë nuk mund t’i mbështesë të gjithë pacientët që kanë probleme me mushkëri, pasi i ka vetëm 10 shtretër. Aty janë vetëm rastet e rënda, derisa të tjerat trajtohen në mënyrë ambulantore”, thotë Mehmeti.

Në një raport të publikuar nga grupi i OJQ-ve mjedisore në Evropën Qendrore dhe Lindore “Bankwatch Network”, në fund të vitit të kaluar, është thënë se termocentralet e Kosovës janë ndër ndotësit më të mëdhenj në Evropë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit në Kosovë ka vendosur monitorë për matjen e cilësisë së ajrit nëpër gjithë territorin, ku qytetarët kanë mundësi të shohin në baza ditore cilësinë e ajrit që thithin.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG