Ndërlidhjet

U pezullohet leja e importit katër kompanive të derivateve të naftës  


Pezullimi i lejeve për katër kompani të derivateve të naftës në Kosovë ka të bëjë me cilësinë e karburanteve - Fotografi ilustruese.
Pezullimi i lejeve për katër kompani të derivateve të naftës në Kosovë ka të bëjë me cilësinë e karburanteve - Fotografi ilustruese.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka pezulluar lejet për katër kompani të derivateve të naftës, të cilat merren më përpunimin dhe shitjen më shumicë të këtij produkti.

Petrol Company, Kosova Rafinery, Kulla Exim dhe In Oil, janë kompanitë e dyshuara, të cilave u janë pezulluar lejet, tha të martën, më 19 prill, ministrja Rozeta Hajdari në një konferencë për media bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.

Hajdari theksoi se bazuar në faktet e Doganës këto kompani rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit.

Sipas saj, disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit.

Gjatë javëve të fundit, ajo tha se kanë marrë disa mostra të dizelit në Kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me Inspektoratin e Tregut dhe janë gjetur shumë raste të jokonformitetit.

“Në një rast kemi gjetur dizel me përmbajtje të sulfurit prej 77.4 miligramësh për kilogram që tejkalon shumëfish shkallën e lejuar prej 10 miligramësh për kilogram. Për këto raste do të njoftojmë edhe Prokurorinë”, ka thënë Hajdari.

Ajo shtoi se në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore, Inspektorati po ashtu ka gjetur se një numër i madh i shitësve ka tejkaluar marzhën tregtare të lejuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, tha se gjatë kontrollit të kryer ka rezultuar se këto kompani kanë përfituar nga lirimi i akcizës, rrjedhimisht shmangie të pakontrolluar të të hyrave.

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit.

XS
SM
MD
LG