Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit mbi 100 dollarë për fuçi më 23 korrik, për herë të parë në dy muaj, pasi rifillimi i luftimeve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara rriti frikën për ndërprerje të zgjatura të furnizimit.
Çmimi i naftës Brent arriti në 100.36 dollarë për fuçi, me një rritje prej gati 7 për qind krahasuar me periudhën paraprake, pasi armëpushimi i arritur në mesin e qershorit mes SHBA-së dhe Iranit u zhbë.
Pas zhbërjes së armëpushimit rifilluan sulmet përreth Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyç për transportin global të naftës, që tani është praktikisht e mbyllur.
SHBA-ja ka thënë se Irani po e përdor Ngushticën e Hormuzit - nga ku kalon një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz - si mjet presioni, duke argumentuar se ajo është një korridor ndërkombëtar që mbrohet nga e drejta ndërkombëtare.
SHBA-ja ka kryer sulme për natën e 12-të radhazi, duke goditur caqe ushtarake iraniane, teksa Teherani ka vazhduar sulmet ndaj aleatëve dhe aseteve amerikane në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Çmimet e naftës, të cilat kishin rënë në rreth 70 dollarë për fuçi pas bisedimeve për armëpushim në qershor, u rritën pasi rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, thanë se kishin sulmuar dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, duke rritur shqetësimet për sigurinë detare dhe furnizimin me energji.