Ndërlidhjet

Katër vende evropiane dëbojnë diplomatë rusë


Flamuri rus nën gjemba.
Flamuri rus nën gjemba.

Katër shtete evropiane – Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Republika Çeke – kanë njoftuar më 29 mars për dëbime masive të diplomatëve rusë, nën dyshimet për spiunim.

Holanda ka njoftuar se do të dëbojë 17 diplomatë rusë, të cilët Ministria e Jashtme holandeze, ka thënë se janë zyrtarë të inteligjencës ruse.

Belgjika ka thënë se do të dëbojë 21 diplomatë rusë, Irlanda, katër dhe Republika Çeke, një diplomat.

Ministria e Jashtme holandeze ka thënë përmes një deklarate se ambasadorit rus i është kumtuar lajmi për dëbimet.

“Arsyeja është se ka informacione që tregojnë se këta persona në fjalë, të akredituar si diplomatë, kanë qenë duke vepruar fshehurazi si zyrtarë të inteligjencës”, është thënë në deklaratë.

Diplomatët duhet të largohen nga Holanda brenda dy javëve, ka thënë Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra.

Megjithatë, ai nuk ka treguar se në çfarë aktivitete spiunimi janë përfshirë këta zyrtarë.

Një total prej 75 diplomatëve rusë janë të akredituar në Holandë, dhe tani atje do të mbesin 58.

Ministria e Jashtme irlandeze ka thënë se dëbimet kanë ndodhur pasi aktivitetet e diplomatëve “nuk kanë qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare për sjellje diplomatike”.

Në deklaratë është thënë se Qeveria e Irlandës “vazhdon të besojë se kanalet diplomatike mes Irlandës dhe Federatës Ruse mund të mbesin të hapura”.

Ministria e Jashtme çeke ka njoftuar se diplomatit rus – që ka vendosur ta dëbojë – i ka dhënë 72 orë kohë për t’u larguar.

“Së bashku me aleatët, ne jemi duke zvogëluar prezencën e inteligjencës ruse në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ministria çeke.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG