Ndërlidhjet

Demokratët fitojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët në Senat


Pelosi mirëpret fitoren e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Rezultatet fillestare të zgjedhjeve për Kongres në Shtetet e Bashkuara tregojnë se demokratët kanë fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, derisa republikanët kanë rifituar kontrollin e Senatit.

Demokratët janë në rrugë për të fituar dhjetëra vende në Dhomën me 435 anëtarë, duke i dhënë fund kështu kontrollit që kanë pasur republikanët në të dyja dhomat e Kongresit, çka edhe mund të rezultojë me shtim të presionit ndaj presidentit amerikan, Donald Trump në dy vjetët e ardhshme.

Kjo pasi, demokratët do të gjejnë rrugë për të konsideruar fuqitë e tij ekzekutive, duke përfshirë mundësitë për të bllokuar legjislacionet e deri te nisja e hetimeve për vendimet e Trumpit siç janë tarifat, konfliktet e mundshme në interesit në aspektin biznesor dhe supozime tjera duke përfshirë bashkëpunimin e mundshëm të aleatëve të Trumpit me zyrtarë rusë gjatë fushatës së vitit 2016 për zgjedhjet presidenciale.

Një shumicë e thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve do të ishte e mjaftueshme për nisur procedura kundër Trumpit nëse ka të dhëna që ai ka penguar drejtësinë në hetimet për Rusinë.

Megjithatë Trump nuk mund të largohet nga zyra pa votuar kundër tij dy të tretat e shumicës në Senatin e kontrolluar nga republikanët.

Trump ndërkaq më 6 nëntor ka thënë përmes një postimi në Twitter se procesi i votimit ka qenë “sukses i jashtëzakonshëm”, në zgjedhjet që janë konsideruar si referendum për presidencën e tij.

Pavarësisht rritjes së demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët janë në rrugë për të zgjeruar shumicën e tyre në Senat me të paktën dy ulëse më shumë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka thënë se Trump ka telefonuar liderin e shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell “për ta uruar në rezultatin historik të arritur në Senat”.

Liderja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila pritet të bëhet kryesuese e kësaj Dhome ka thënë më 6 nëntor se “nesër do të jetë një ditë e re për Amerikën”.

Por pavarësisht të gjithave, Pelosi ka thënë se do të synojë të bashkëpunojë me Trumpin dhe Senatin e kontrolluar nga republikanët në çështjet infrastrukturore, ku kanë qëllim të afërta me presidentin.

Nancy Pelosi.
Nancy Pelosi.

​Kandidatët demokratë kanë fituan kontrollin e zyrës së guvernatorit, duke shënuar fitore në Illinois, Kansas, Miçgen, Nju Meksiko, Uiskonsin, Mejn dhe Nevada.

Demokratët po ashtu kanë rifituar këto zyre në Kaliforni, Minesota, Havaji dhe Kolorado.

Republikanët në anën tjetër kanë fituar kontrollin në Ajoa, Ajdaho, Vermont, Oregon dhe Dakotën Jugore.

Ndonëse ka pasur raportime për probleme në disa qendra të votimit, duke përfshirë radhët e gjata dhe mosfunksionimi i skenerëve kompjuterikë, Sekretarja amerikane për Siguri të Brendshme, Kirstjen Nielsen, u ka thënë gazetarëve se nuk ka shenja “ të kompromisit në infrastrukturën e zgjedhjeve kombëtare”.

Aktualisht, republikanët kontrollojnë Senatin me 51 ulëse në krahasim me 47 sa kanë demokratët.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët kanë 235 ulëse në krahasim me 193 sa kanë demokratët.

Kjo i bie që demokratëve u janë dashur edhe 23 ulëse për të fituar kontrollin në këtë trup.

Votuesit gjatë zgjedhjeve
Votuesit gjatë zgjedhjeve

Sipas të dhënave të profesorit të Universitetit të Floridas, Michael McDonald, të paktën 44 shtete kanë tejkaluar numrin e përgjithshëm të votave të hershme në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014.

Zgjedhje për guvernatorë dhe referendume

Përveç ulësve në Kongres, shumë shtete do të zgjedhin edhe guvernatorët e tyre dhe anëtarët e rinj të legjislaturës shtetërore.

Disa shtete kanë mbajtur edhe referendum në çështje specifike si taksat, dhuna ndaj kafshëve, legalizimi i marihuanës dhe rritja e pagës minimale.

Votuesit në Kolorado kanë zgjedhur demokratin Jared Polis si guvernatorin e tyre, duke u bërë kështu burri i parë gej që ka treguar publikisht statusin e tij dhe është zgjedhur në një pozitë të tillë në SHBA.

Nga të gjitha aspektet, fushata zgjedhore ka qenë tejet e ashpër, në shkallën që nuk është parë me vite të tëra. Ekonomia e fortë dhe numri i vogël i papunësisë do të duhej të konsideroheshin lajm i mirë për presidentin dhe partinë e tij në zgjedhjet për Kongres që mbahen pas gati dy vjetëve prej kur presidenti fiton mandatin e tij katërvjeçar.

Mirëpo qasja e ashpër e Trumpit dhe politikat e tij sociale duket se kanë ndikuar në aftësinë e republikanëve për t’u lavdëruar për çështjet ekonomike.

Përndryshe, fushata e këtyre zgjedhjeve është përcjellur me një valë të ngjarjeve në SHBA, duke përfshirë dërgimin e pakove me material shpërthyes drejt kritikëve të Trumpit dhe masakarën në një sinagogë në Pitsburg që kanë lënë të vdekur 11 persona, teksa sulmuesi ka treguar para sulmit se vrasja është bazuar në pikëpamje anti-semite.

Përgatiti:Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG