Ndërlidhjet

Protestuesit dëmtojnë dy qendra vaksinimi kundër COVID-19 në Francë


Qendër vaksinimi kundër koronavirusit në Paris.

Dy qendra vaksinimi janë plaçkitur në Francë, teksa është protestuar kundër njoftimeve të Qeverisë për masa më të ashpra, për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Një qendër në juglindje të Francës është dëmtuar të premten mbrëma, kanë thënë autoritetet.

Një ditë më vonë, një tjetër klinikë në jugperëndim të këtij shteti është shkatërruar pjesërisht, përmes atij që e kanë quajtur mediat lokale si, sulm me zjarr.

Incidentet janë regjistruar në fundjavën kur protestuesit kanë shprehur pakënaqësi për masat kundër koronavirusit.

Të shtunën, më shumë se 100,000 njerëz kanë dalë në rrugë në gjithë Francë, për të kundërshtuar masat, që synojnë të ndalin valën e infektimeve.

Këto masa kontroverse përfshijnë vaksinime të detyrueshme për punëtorët shëndetësorë dhe pasaporta për COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, në mënyrë që të kenë qasje në shumicën e vendeve publike.

Kritikët kanë akuzuar presidentin francez, Emmanul Macron për shkelje të lirive të tyre.

Franca është përballur me një mori aktesh të dhunshme dhe vandalizëm kundër ligjvënësve që kanë mbështetur rregullat e reja.

Në anën tjetër, mijëra persona kanë aplikuar për të marrë vaksinën, pas deklaratave të Macronit javën e kaluar, lidhur me masat e reja.

Qeveria e tij është duke tentuar të ulë numrin e të infektuarve me variantin tejet ngjitës të koronavirusit, Delta.

Prej shpërthimit të pandemisë, më shumë se 111,000 persona kanë vdekur me koronavirus, si dhe ekonomia është dëmtuar rëndë.

Deri më tani, vetëm pak mbi gjysmën e popullsisë kanë pranuar dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit, dhe më pak se 40 për qind kanë marrë të dyja dozat.

Sondazhet flasin për hezitim në mesin e francezëve për t’u vaksinuar.

Një studim i kryer nga Ipsos vitin e kaluar ka gjetur se vetëm 40 për qind e njerëzve në Francë, mëtojnë të imunizohen kundër këtij virusi.

XS
SM
MD
LG