Ndërlidhjet

Një shtetas i Kosovës dënohet për terrorizëm


Ilustrim.
Ilustrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë tha se ka shqiptuar dënimin prej dy vjet e tetë muaj ndaj një personi për akuza që lidhen me terrorizmin.

Gjykata njoftoi se i akuzuar K.D u dënua për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.

Ky institucion nuk dha detaje se cilit grup i ishte bashkuar i akuzuari apo për periudhën kohore kur e ka bërë këtë vepër penale.

Dënimin ai do ta vuajë 15 ditë pasi të bëhet i plotfuqishëm ky aktgjykim, “ndërsa koha e kaluar në paraburgim nga data 17 korrik 2021 e tutje, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar”.

Por, deri në plotfuqishmërinë e vendit, i akuzuari do të qëndrojë në paraburgim.

Palët kanë të drejtë që të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit lidhur me këtë aktgjykim.

Në vitin 2015, Kosova miratoi një ligj të posaçëm që sanksionon pjesëmarrjen në luftëra të huaja, ku parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.

Kosova, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, në prill të vitit 2019 ka rikthyer mbi 100 shtetas të saj, kryesisht gra dhe fëmijë, që kishin qenë në zonat e konfliktit në Siri.

XS
SM
MD
LG