Ndërlidhjet

Drejtësia që dështoi


"Dy engjëj u vranë nga një përbindësh" - kjo ishte një prej pankartave që u shfaqën në një protestë në Prishtinë, pas vrasjes së një gruaje shtatzënë në oborrin e QKUK-së, më 30 nëntor. I dyshuar për vrasjen është bashkëshorti i saj.

“Institucionet e drejtësisë kanë dështuar plotësisht” të mbrojnë jetën e gruas shtatzënë, vlerëson avokati i jashtëm i Rrjetit të Grave të Kosovës, Fitim Gashi.

Hamide Magashi, 35 vjeçe, dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili, më 30 nëntor, në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Policia publikoi emrin dhe fotografinë e të dyshuarit për vrasjen, i cili ndodhet ende në arrati, dhe kërkoi ndihmën e qytetarëve për “ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin” e tij.

Duke reaguar pas vrasjes, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ajo është “pasojë e papërgjegjësisë institucionale”.

Gjykata Themelore në Ferizaj konfirmoi se për gruan, tashmë të ndjerë, ishte lëshuar urdhër për mbrojtje prej datës 13 shtator 2022 deri më 13 mars 2023, pas kërkesës që vetë viktima e kishte parashtruar më 8 shtator.

Më 23 shtator 2022, Gjykata Themelore e Ferizajt, me aktgjykim, shpalli të pandehurin S.H. (Sokol Halili) fajtor për veprën penale: mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve. Ai u dënua me gjobë.

Por, paraprakisht, më 10 gusht, kjo gjykatë ngriti aktakuzën ndaj të pandehurit S.H. për veprën penale: kanosje ndaj bashkëshortes së tij.

I pandehuri nuk e pranoi fajësinë dhe paraqiti kërkesë për të hedhur poshtë aktakuzën dhe për kundërshtim të provave. Më 19 nëntor, gjykata me aktvendim e refuzoi kërkesën e të pandehurit.

Prokurorisë “nuk i mjaftuan tri veprat penale”

Fitim Gashi, avokat i jashtëm i Rrjetit të Grave të Kosovës, thotë se veprat penale të kryera nga i pandehuri, është dashur të jenë sinjal i qartë për prokurorinë që të ndërmarrë masa për parandalimin e krimit pasues - vrasjes së dyshuar.

“Me vetë faktin se i paska pasur tri vepra penale, pra kanosje, armëmbajtje pa leje dhe dhunë në familje, e cila me Kodin e ri Penal parashihet si vepër penale... të gjitha këto nuk i kanë mjaftuar prokurorisë për caktimin e paraburgimit, por prokuroria qenka mjaftuar me një 48-orësh ndalim të kryerësit të dhunës, të të pandehurit. Unë mendoj se dështimi kryesor është te prokuroria, në këtë rast”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes një njoftimi për opinion, konfirmoi rastet e ngritjes së aktakuzave për kanosje, armëmbajtje pa leje dhe dhunë në familje kundër të dyshuarit tashmë për vrasje, S.H.

Gjithashtu, prokuroria tha se “në bazë të autorizimeve të saj, i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, lidhur me këtë çështje penale”.

Ajo konfirmoi edhe lëshimin e urdhrit për mbrojtje të viktimës, duke thënë se “kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”.

Por, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, vrasjen e gruas shtatzënë nga bashkëshorti i saj i dyshuar e cilësoi si “pasojë të papërgjegjësisë institucionale”.

Ajo tha se viktima, në korrik të këtij viti, e ka raportuar tek autoritetet e rendit të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe se prokuroria e ka liruar personin e dyshuar në procedurë të rregullt.

“Është një papërgjegjësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”, tha Haxhiu pas një takimi të ngushtë ndërministror, më 1 dhjetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se institucionet përkatëse, mes tjerash, po bëjnë inspektimin e punës së zyrtarëve policorë, përfshirë zbatimin e urdhrit mbrojtës, si dhe të punës së zyrtarëve në Qendrën për Punë Sociale dhe të atyre në repartin e gjinekologjisë në QKUK.

“I gjithë zinxhiri i papërgjegjësisë duhet të japë dorëheqje”, tha Kurti në një postim në Facebook.

“Përgjegjësi penale” për moskryerje të detyrës?

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ka kërkuar “raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun”.

“Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë, të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë”, shkroi Sveçla në llogarinë e tij në Facebook, duke shtuar se do të merren të gjitha masat e nevojshme “ndaj kujtdo që, me apo pa vetëdije, mund të jetë përgjegjës”.

Ministrja e Drejtësisë, Haxhiu, tha se “në momentin që verifikohet dështimi institucional, personi përgjegjës do të japë dorëheqje”.

“Rasti i mbrëmshëm [30 nëntor] është rast i rëndë dhe [për] secilin që nuk e ka kryer detyrën, më e vogla [për të] do të jetë dorëheqja dhe shkarkimi. Por, këtu do të vijë në shprehje edhe përgjegjësia penale, nëse vërtetohet që personat zyrtarë nuk e kanë kryer detyrën”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se dorëheqje është kërkuar edhe në rastet e kaluara të vrasjeve të grave, por se ato nuk kanë ndodhur.

Sipas saj, as lidhur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë, nuk ka dhënë dorëheqje askush nga prokurorët dhe gjykatësit. Kjo sjellje e tyre, sipas saj, “po i inkurajon kriminelët, po i inkurajon vrasësit”.

Fotogaleri: Ekspozita "Tuneli i fundit" në kujtim të vajzave dhe grave të vrara si rezultat i dhunës me bazë gjinore.

Zef Ndrejaj, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në oborrin e së cilës ndodhi vrasja e gruas shtatzënë, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se “rasti është në hetuesi”.

“Kemi urdhër që të mos deklarohemi, në mënyrë që të mos ndikojmë në hetime”, tha ai.

(Jo)efektiviteti i urdhrit për mbrojtje

Gjykata Themelore e Ferizajt u pyet nga Radio Evropa e Lirë se cila ka qenë përmbajtja e aktvendimit për urdhër-mbrojtje për rastin e Hamide Magashit.

Në një përgjigje me shkrim nga kjo gjykatë thuhet se “në vendimin për urdhër-mbrojtje, palës përgjegjëse i është caktuar masa mbrojtëse ‘ndalimi i ofrimit të viktimës’, siç është e përcaktuar me nenin 5 të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje”.

“Palës përgjegjëse i është ndaluar që t’i afrohet në qytet, te vendi i punës, si dhe te vendbanimi i palës së mbrojtur, në afërsi prej 50 metrash”, thanë nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

Feride Rushiti: Shteti po dështon t'i mbrojë gratë nga dhuna
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:05:24 0:00

Por, a është mjet efektiv vendimi gjyqësor për urdhër-mbrojtje të viktimave potenciale?

Avokati Fitim Gashi vlerëson se është pamundur që të gjitha rastet që kanë urdhër për mbrojtje të jenë nën përcjelljen dhe vëzhgimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, “përveç rasteve specifike”.

Kryerësi i dyshuar i vrasjes më 30 nëntor, sipas tij, nuk e ka përfillur urdhrin e gjykatës.

“Po të mos ishte kryer vepra dhe po qe se do ta evidentonte viktima se kryerësi i veprës është ofruar në distancën, të cilën e ka të ndaluar, po besoj që me thirrjen e menjëhershme të policisë, ajo do të ishte e obliguar të intervenonte më pas, sepse e ka pasur një bazë, e ka pasur një urdhër mbrojtës, të cilin është e obliguar ta mbikëqyrë dhe përcjellë. Ndërkaq, rasti i së mërkurës po supozoj që ka qenë i përgatitur nga kryerësi i veprës dhe e ka zënë të papërgatitur viktimën”, thotë Gashi.

Të enjten, më 1 dhjetor, motra e viktimës tha për mediat në Kosovë se dhuna ndaj motrës së saj në familjen e bashkëshortit “ka qenë e vazhdueshme”.

Ajo konfirmoi se viktima u është drejtuar organeve të rendit dhe drejtësisë për ta raportuar dhunën dhe për të kërkuar mbrojtje.

“Ajo ka thënë se ka mbrojtje, por askush në mbrojtje nuk i ka dalë”, tha motra e viktimës.

Megjithatë, mbetet pikëpyetje nëse afrimi i ndaluar prej 50 metrash, sipas urdhrit për mbrojtje, i kanë dhënë kohë të mjaftueshme viktimës për ta identifikuar kryerësin e veprës penale dhe për ta lajmëruar policinë.

Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë në rritje viteve të fundit.

Sipas të dhënave të policisë dërguar Radios Evropa e Lirë, gjatë periudhës janar-tetor 2022 janë regjistruar 2.273 raste të dhunës në familje, ndërsa gjatë gjithë vitit 2021 janë raportuar 2.456 raste dhe më 2020 - 2.069 raste.

Ndërsa, nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112

XS
SM
MD
LG