Për vite të tëra, Deti Kaspik ka qenë një zonë e sigurt për aleancën mes Rusisë dhe Iranit – një vrimë e zezë e padukshme për sytë perëndimorë.
Përderisa kjo rrugë ujore ka shërbyer si strehë për dronët iranianë që dërgohen drejt fushëbetejave në Ukrainë ku Rusia po vazhdon pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj, Izraeli së voni ka kryer një sulm në Bandar Anzali, një bazë detare iraniane në Kaspik.
Raportimet mediale, që bazohen në informacione të inteligjencës, thonë se korridori tani po përdoret për të transferuar armë të prodhimit rus në Lindjen e Mesme, duke i sjellë sulmet ajrore izraelite më afër oborrit të Moskës.
Qëkur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Deti Kaspik ka shërbyer si korridor kyç mes dy shteteve të sanksionuara nga Perëndimi. Ai lidh portet ruse sikurse Akstrakami me veriun e Iranit, përfshirë Bandar Anzalin, para se ngarkesat të lëvizin përmes linjave hekurudhore dhe tokësore drejt Gjirit Persik dhe Oqeanit Indian.
Grupet e inteligjencës më herët kanë raportuar se anijet nga e ashtuquajtura flotë në hije e Rusisë kanë operuar përgjatë korridorit nën flamurin rus dhe iranian dhe këto anije ishin të lidhura me kontrabandimin e naftës së sanksionuar dhe armëve mes dy shteteve.
Shumica e këtyre anijeve kanë fikur sinjalet për gjurmim, duke rritur dyshimet se ato po transportojnë mallra të sanksionuara apo pajisje ushtarake.
Më 2024, Shtetet e Bashkuara sanksionuan dy kompani ruse të transportit detar lidhur me transportimin e pajisjeve të lidhura me dronë dhe municione përgjatë Detit Kaspik dhe që synoheshin të përdoreshin në Ukrainë.
Bashkëpunimi
Sulmet në Bandar Anzali më 18 mars u kryen në mes të sinjaleve se bashkëpunimi ushtarak mes Rusisë dhe Iranit mund të jetë duke evoluar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha për CNN-in më 15 mars se Irani po godet bazat amerikane me dronët e prodhuar dhe të transferuar nga rusët.
Sipas Financial Times, inteligjenca perëndimore thotë se Rusia tani mund të jetë duke dërguar dronë në Iran.
Instituti për Luftë tha se sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bandar Anzali në mars erdhën pas raportimeve se Rusia po i ofron Iranit dronë të prodhuar në Rusi dhe ndoshta dronë Shahed të modifikuar.
Tel Avivi dhe Moska
Në atë kohë, Izraeli njoftoi se aeroplanët luftarakë kishin goditur caqe në portin e marinës iraniane dhe ndërtesa të bazës ku dhjetëra anije ushtarake, përfshirë anije me raketa dhe varka të rojeve bregdetare, ishin të stacionuara.
“Nëse interesat ruse preken apo shkatërrohen në njëfarë mënyre, izraelitët nuk do të bërtasin për këtë, sepse duan të ruajnë marrëdhënie të mira me rusët”, tha për Radion Evropa e Lirë, Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme.
Rusia do ta shihte çdo përhapje të konfliktit me Iran në Detin Kaspik “jashtëzakonisht negativisht,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, lidhur me sulmin e 18 marsit.
Duke qenë se është një trup ujor pa dalje në det, Deti Kaspik gjerësisht është parë si jashtë rrezes së veprimit të SHBA-së dhe marinave perëndimore. Ai kufizohet me Rusinë, Iranin, Azerbajxhanin, Kazakistanin dhe Turkmenistanin – shtete që në përgjithësi kanë mbajtur marrëdhënie të balancuara me Moskën.
“Hulumtimi ynë ‘në masë të madhe’ përjashton Detin Kaspik, pasi mungesa e bashkëpunimit rajonal me autoritetet perëndimore e bën atë një mjedis të mbyllur ku monitorimi është si i papërshtatshëm, dhe aktualisht me prioritet më të ulët për zbatim global”, tha për Radion Evropa e Lirë, Benjamin Hilgenstock, ekspert i sanksioneve në Institutin e Shkollës Ekonomike të Kievit.
Tregtia në Kaspik, në rritje
Irani dhe Rusia po ashtu këmbejnë mallra ushqimore përmes Detit Kaspik. Tregtia e drithërave mes Iranit dhe Rusisë u ndërpre menjëherë pas sulmit, por rinisi më vonë, sipas Reuters.
Rusia, eksportuesja më e madhe në botë e drithërave, viteve të fundit ka përmirësuar logjistikën e eksportit përmes Detit Kaspik, duke pasur për cak tregje në Iran, në shtetet e Gjirit Persik, Irak dhe Afganistan.
“Edhe nëse kjo rrugë pengohet, ka mënyra të tjera për Iranin dhe Rusinë që të tregojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë Dalga Khatinoglu, ekspert për energjinë e Iranit dhe makroekonominë.
Segmenti i Kaspikut është pjesë e Korridorit Ndërkombëtar të Transportit Veri-Jug (INSTC), një rrjet prej 7.200 kilometrash që përfshin transportin detar, hekurudhor dhe rrugor për lëvizjen e mallrave midis Indisë, Iranit, Azerbajxhanit, Rusisë, Azisë Qendrore dhe Evropës.
Të izoluara nga Perëndimi, si Irani ashtu edhe Rusia kanë plane afatgjata për të zgjeruar tregtinë përmes Detit Kaspik.
Qarkullimi i mallrave midis Rusisë dhe Iranit përmes Kaspikut mund të dyfishohet në vitin 2026, duke arritur në 10 milionë tonë, sipas Aleksandr Sharov, drejtor i Grupit RusIranExpo.
“Të dyja, Teherani dhe Moska, shpresojnë që SHBA-ja do t’i frenojë izraelitët nga përsëritja e sulmit të tyre në bregdetin e Detit Kaspik”, tha për Radion Evropa e Lirë, Paul Goble, ekspert për Euroazinë në Fondacionin Jamestown.
“Nuk ka raportime që sugjerojnë se rajoni i Kaspikut do të bëhet së shpejti një skenë e tillë. Ende po flasim për trupa tokësore në jug, potencialisht për një përfshirje amerikane në jug, jo në veri”, tha Alex Vatanka për Radion Evropa e Lirë.
“Megjithatë, nëse ata zbulojnë në bazë të inteligjencës se, për shembull, Irani po prodhon dronë ose raketa në ndonjë qytet në veri, në rajonin e Kaspikut, atëherë padyshim që ai vend do të bëhet një objektiv. Këto janë arsye operative dhe logjistike, jo një qasje strategjike”, shtoi ai.