“A e ndien erën?”, tregon Alisa Sadovnikova se e pyeti bashkëshortin e saj, Sergei, teksa lundronin me mjetin e tyre - një kajak me një velë të improvizuar - nga ujërat ruse drejt ujërave turke, një mëngjes të këtij qershori. “Ka erë lirie”.
Dy rusët, që kishin dezertuar nga njësitë e tyre në mes të luftës së Moskës kundër Ukrainës, po përjetonin një udhëtim të dëshpëruar tetëditor nëpër Detin e Zi, me shpresën për t’i shpëtuar policisë ushtarake ruse dhe për të arritur në Evropë, pas më shumë se 18 muajsh në arrati.
Nën kërcënimin e vazhdueshëm të zbulimit nga anijet dhe dronët që kalonin pranë, Sadovnikovët përshkuan më shumë se 330 kilometra në det, duke i mbijetuar katër stuhive në ujëra të hapura dhe duke kaluar tri ditë të plota pa ushqim, i thanë ata Radios Evropa e Lirë, përmes ndërmjetësuesve.
“Nuk kishim më fuqi. Era ishte kundër nesh dhe dallgët ishin të pamëshirshme. Shpenzonim gjithë energjinë tonë vetëm duke u përpjekur të qëndronim në një vend”, tha Alisa, 30 vjeçe, duke folur për natën e fundit të udhëtimit të çiftit nëpër Detin e Zi.
Ajo tha se uria dhe lodhja kishin shkaktuar halucinacione të rënda dhe panik, duke shtuar se fundi i udhëtimit rraskapitës “ishte i tmerrshëm. E shihje bregun, por deti nuk të linte të arrije tek ai".
Më në fund, me shpresën për ta lënë pas luftën që dikur e kishin mbështetur, “si të vdekur në këmbë” nga lodhja, të dy dolën me vështirësi në breg pranë qytetit turk Espije dhe u rrëzuan përtokë.
Çifti kishte planifikuar të kërkonte azil në Spanjë, një nga të paktat vende evropiane ku dezertorët rusë mund të aplikojnë për azil. Por, gati dy muaj pasi mbërritën në Turqi, ata tani rrezikojnë të dëbohen në Rusi.
Radio Evropa e Lirë konfirmoi identitetet e Alisa dhe Sergei Sadovnikovit dhe verifikoi disa aspekte të biografive të tyre, shërbimit ushtarak dhe udhëtimit, por nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur detaje të tjera të rrëfimeve të tyre.
“Armiku ishte pikërisht para meje”
Shumë kohë përpara se të mendonin të arratiseshin nga Rusia me kajak përmes Detit të Zi, Alisa dhe Sergei ishin njohur teksa shërbenin në të njëjtën njësi ushtarake. Në atë kohë, të dy ishin mbështetës të zjarrtë të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, të cilin presidenti Vladimir Putin e nisi në shkurt të vitit 2022.
Alisa la pas kafenenë që kishte hapur me një shoqe në Moskë, dhe punën si mësuese matematike në Zelenograd, pranë kryeqytetit rus, për t’iu bashkuar ushtrisë në vjeshtën e vitit 2023. Në atë kohë, Sergei tashmë kishte shkuar dy herë në luftë.
Ai thotë se fillimisht kishte shërbyer si mjek me grupin mercenar Wagner në vitin 2022, më pas ishte kthyer në luftë në fund të vitit 2023, pasi kishte nënshkruar kontratë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, pas shpërbërjes së Wagnerit në vazhdën e një rebelimi të dështuar.
Para luftës, tha Sergei, ai kishte kaluar më shumë se pesë vjet e gjysmë në burg për një dënim të lidhur me drogën, dhe më vonë kishte punuar si punëtor krahu. Kur më vonë shërbeu përkrah Alisës, ai i mësoi asaj mjekësinë taktike, kujtoi ajo - ndërsa edhe vetë shërbente si mjeke.
“Ne ishim mbështetës të vërtetë të Z-së, të llojit më të keq”, tha Alisa, duke iu referuar shkronjës që simbolizon mbështetjen e zjarrtë për pushtimin rus të Ukrainës. “Ne besonim atë që na thuhej në televizion. Shkuam [për të luftuar] për atdheun... kundër ‘fashistëve ukrainas’”.
Zyrtarët rusë dhe mediat e kontrolluara nga shteti e kanë paraqitur shpesh në mënyrë të rreme Ukrainën dhe udhëheqjen e saj si naziste ose fashiste, dhe kanë përdorur narrativa të shtrembëruara të Luftës së Dytë Botërore për të nxitur regjistrimin në ushtri.
Alisa tha se arsyet e saj për të shkuar në luftë ishin “irracionale”. Ajo që pa gjatë vitit të saj në shërbim gradualisht e ktheu kundër sistemit që më parë e kishte mbështetur.
“Armiku nuk ishte aty ku na kishin thënë se ishte - ishte pikërisht para meje”, shtoi ajo.
Pasi ranë në dashuri dhe shërbyen së bashku për një kohë, Alisa dhe Sergei u ndanë, kur Sergei u transferua në vijën e frontit me Divizionin e 76-të të Sulmeve Ajrore. Ishte atëherë, thanë të dy, kur panë anë të pushtimit rus që më parë i kishin anashkaluar.
Sergei u plagos herën e dytë që u dërgua në betejë - dhe, sipas tij, u kthye shpejt në luftime, pavarësisht plagëve. Ai e përshkroi atë që pasoi si një “mulli mishi”, duke thënë se humbi një mik në luftime.
“Gjithçka u bë e qartë për mua”, tha Sergei, 37 vjeç. “Ata filluan të merrnin ndihmësit nga grupi im dhe t’i dërgonin në misione sulmi. Para syve të mi, rreth 100 metra larg, dy grupe të tëra u asgjësuan”.
Duke kujtuar shërbimin e tij pas rikthimit në ushtri në vitin 2023, Sergei tha se kishte dëshmuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga ushtria ruse, përfshirë edhe ndaj ushtarëve të saj.
“I rrihnin ushtarët për shkeljen më të vogël, i lidhnin pas pemëve ose i vinin në pranga... Ose i fusnin në gropa, ku mund të mbaheshin për muaj të tërë”, tha ai.
Trajtimi i banorëve lokalë në pjesët e Ukrainës të pushtuara nga Rusia ishte në disa raste edhe më i rëndë. Sipas Sergeit, ushtarët rusë rrihnin civilë, i grabisnin dhe ndonjëherë i qëllonin.
“Po kërkoja fashistët për të cilët na kishin treguar... Por nuk pashë asgjë të tillë në Bahmut, Zaporizhja apo Herson”, tha ai. “Nuk duhej ta kishim nisur kurrë këtë luftë. Putini i ka shteruar rusët dhe po shkatërron ukrainasit. Jam thjesht i shkatërruar. Nuk di si t’u kërkoj falje [popullit ukrainas]”.
Ndërkohë, Alisa kërkonte të ribashkohej me bashkëshortin e saj, dhe t’i shpëtonte abuzimit që, sipas saj, gratë përjetonin në njësinë e saj.
“Gratë trajtoheshin tmerrësisht në njësinë tonë. Qëndrimi mbizotërues ishte se ‘gruaja është lloji më i ulët i plehrës’... Thoshin: ‘Çfarë, do që ta hap zinxhirin e pantallonave për ty?’”, tha ajo. “E kuptova shpejt se duhej të largohesha nga ushtria”.
Alisa tha se ishte “e përndjekur nga një ndjenjë pashprese” dhe kishte kuptuar se nuk kishte asgjë kundër ukrainasve, por kishte krijuar “shumë zemërim ndaj atyre që janë në pushtet [në Rusi] dhe komandantëve”.
“Ata vjedhin gjithçka dhe pastaj i dërgojnë djemtë drejt vdekjes me duar bosh dhe vetëm me sfurqe.... Thjesht fillova t’i urreja”, tha ajo.
Alisa tha se, me ndihmën e një avokati, ajo “iu drejtua çdo autoriteti të mundshëm” për t’u ribashkuar me Sergein dhe për ta transferuar atë nga divizioni i ri, i cili në atë kohë vepronte në rajonin jugor të Zaporizhjës në Ukrainë. Kjo nuk ndodhi kurrë, por ajo përfundimisht u transferua në Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia, i cili është më afër Zaporizhjës.
Atëherë filloi të merrte formë ideja që të dezertonin së bashku nga ushtria.
“Jetonim si minjtë”
Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme për t’u larguar nga shërbimi ushtarak në vitin 2024, Alisa mori leje me synimin që të mos kthehej më. Shpejt, kur Sergei u tërhoq nga vija e frontit në rajonin e Zaporizhjës, çifti shfrytëzoi mundësinë dhe vendosi të rrezikonte gjithçka, thanë ata. U nisën drejt Rusisë.
“U larguam nga Zaporizhja në një kolonë dhe unë u vura në krye. Kur kaluam kufirin, u ndalëm dhe gruaja ime më solli rroba civile dhe para”, kujtoi Sergei. “Erdhi një makinë, hipa dhe u larguam”.
Ai tha se ushtria ruse kaloi orë të tëra duke kërkuar për të në kolonë. Por, ai ishte larguar, dhe çifti arriti shpejt në rajonin e Krasnodarit, në jug të Rusisë, ku u fsheh.
Për muaj të tërë, ata jetuan “si minjtë”, tha Alisa.
Menjëherë pasi mbërritën në kryeqytetin e rajonit, të dy i hodhën kartat SIM, identifikuan kamerat e afërta të mbikëqyrjes, dhe ndryshuan apartament katër herë brenda vetëm një jave.
Sipas Alisës, në të gjithë vendlindjen e saj, Zelenograd, u vendosën pllakate kërkimi me fotografinë e saj, ndërsa policia ushtarake vizitonte vazhdimisht nënën e saj.
“Qëndronim brenda në apartament dhe sa herë që dëgjonim ashensorin duke u ngjitur, stomaku më shtrëngohej nga frika”, tha Alisa. “Jetonim si minjtë, dilnim jashtë vetëm nëpër dy rrugë ku e dinim me siguri se nuk kishte kamera”.
I vendosur për t’i shpëtuar ekzistencës “si në burg” pas gjashtë muajsh duke u fshehur, çifti u zhvendos në një pyll. Muajt e ngrohtë i kaluan në tenda, por kur filloi të ftohej, u kthyen në qytet dhe u përpoqën të gjenin një mënyrë për t’u larguar nga Rusia.
Pasi përjashtuan një rrugë përmes Evropës veriore për shkak të rrezikut të dëbimit, dhe Gjeorgjinë për shkak të minave të mbetura nga lufta e këtij vendi me separatistët abkazë të mbështetur nga Moska, ata vendosën për një mundësi të tretë: të kalonin Detin e Zi drejt Turqisë.
Me paratë që kishin mbledhur nga punë të ndryshme, blenë një kajak. Nga frika se mund të zbuloheshin nga radari, hoqën të gjitha pjesët metalike të tij, e kamufluan me ngjyrën e detit, dhe i vendosën një velë.
Për një javë, ata monitoruan varkat dhe anijet në det për të gjetur rrugën më të mirë të mundshme, thanë ata, dhe vendosën të niseshin nga një pikë mes qyteteve ruse Soçi dhe Tuapse.
Alisa tha se pika e zgjedhur e nisjes nuk ishte opsioni më i shkurtër, por shtoi se siguronte një rrugë më të sigurt: “Kjo nënkuptonte të përshkonim një distancë më të madhe, por të paktën do të ishim më të sigurt”.
U arratisën nga Rusia, u ndaluan në Turqi
Pas tetë ditësh në det dhe disa ditësh pushim, çifti vazhdoi udhëtimin dhe u nis drejt perëndimit përmes Turqisë, me synimin për të arritur në Spanjë.
Por, pasi u kthyen në ujë, ata u ndaluan nga Roja Bregdetare Greke, teksa përpiqeshin të hynin në Greqi, përmes Detit Egje, me kajakun e tyre. Alisa tha se zyrtarët ua morën telefonat, orët, bateritë, velën dhe lopatat, dhe i kthyen në ujërat turke, ku u morën nga rojat kufitare turke.
Brenda pak ditësh, çifti e gjeti veten në një qendër dëbimi në qytetin perëndimor turk Ajdin, përballë një urdhri për dëbim.
Alisa pretendoi se një rojë sigurie në qendër e kishte goditur Sergein në kokë, ndërsa një kamerë mbikëqyrëse në objekt ishte fikur.
“Ata i mbajnë gjithmonë dyert të mbyllura, edhe pse ky nuk është burg”, tha ajo, duke shtuar se i lejohej ta shihte Sergein vetëm dy orë në javë dhe të fliste me të në telefon për 15 minuta në ditë.
Raportet e organizatave për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar akuza për dhunë të përsëritur fizike nga stafi i Qendrës së Largimit në Ajdin. Ish të ndaluar kanë raportuar se janë rrahur rëndë nga rojat përpara largimit të tyre me forcë nga vendi.
Avokati i çiftit, Koran Aygun, tha se Sadovnikovët ishin transferuar së voni nga Ajdini në një qendër tjetër largimi në Kutahja. Kundërshtimi i tij ndaj urdhrit të dëbimit e ka pezulluar procesin, por e ardhmja mbetet e pasigurt.
Sipas Tvyordy Znak, një organizatë që ndihmon dezertorët rusë të largohen në mënyrë të sigurt nga ushtria dhe të vendosen jashtë vendit, çifti mund të përballet me deri në 10 vjet burgim nëse kthehet në Rusi.
Tvyordy Znak thotë se verifikon rrëfimet e dezertorëve. Alisa dhe Sergei kontaktuan me organizatën, ndërsa po përgatiteshin të lundronin me kajak drejt Greqisë.