Ndërlidhjet

Gucati dhe Haradinaj dënohen me nga katër vjet e gjysmë burgim


Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

"Në emër të popullit të Kosovës, trupi gjykues ju shpall fajtorë për: pengim të personave zyrtarë në kryerjen e veprimeve zyrtare nëpërmjet kërcënimit të rëndë, pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nëpërmjet pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi, frikësim sipas procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës të zbulimit të paautorizuar të identitetit dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur”, tha gjykatësi Charles Smith III.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, tha se Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, "pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë".

“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë... Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithçka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë", tha ai.

Ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit konfirmuan për gazetarët se do të apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit, shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Hysni Gucati gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj tij. Hagë, 18 maj 2022.
Hysni Gucati gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj tij. Hagë, 18 maj 2022.

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj u akuzuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Vendimi i fajësisë mund të apelohet nga palët brenda 30 ditësh te paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë, që funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Ndërkaq, kur merret vendimi i formës së prerë, sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ZPS-së, të dënuarit e vujanë dënimin në njërin prej shteteve, që kanë shprehur gatishmëri të pranojnë personat e dënuar nga kjo gjykatë. Shtetin se ku kryhet dënimi e cakton kryetari i Dhomave të Specializuara.

Gjykatësi: Ky rast tregon më së miri pse u krijua Gjykata Speciale

Gjykatësi Charles Smith III, gjatë paraqitjes së përmbledhjes së trupit gjykues për rastin tha se ky rast tregon më së miri arsyen se pse është krijuar Gjykata Speciale.

Ai tha se mbrojtja e dëshmitarëve është e rëndësishme, pasi pa ta, "nuk mund të ketë drejtësi për viktimat, apo për shoqërinë në përgjithësi. Veprimet e të akuzuarve i rrezikuan në themel këto".

Nasim Haradinaj duke dëgjuar vendimin e trupit gjykues të Dhomave të Specializuara. Hagë, 18 maj 2022.
Nasim Haradinaj duke dëgjuar vendimin e trupit gjykues të Dhomave të Specializuara. Hagë, 18 maj 2022.

Gjykatësi tha se trupi gjykues është bindur se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të zbulimit të informacionit të mbrojtur dhe kanë pasur synim të drejtpërdrejt zbulimin e identitetit të qindra dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm të Dhomave të Specializuara.

“Megjithatë, trupi gjykues nuk është bindur se pamundësuan apo penguan shumë hetimet e ZPS-së”, tha gjykatësi.

Me zbulimin e emrave të dëshmitarëve, por edhe me deklaratat e tyre, tha gjykatësi, Gucati dhe Haradinaj, kanë shkaktuar kërcënim të rëndë me synim frikësimin e dëshmitarëve.

The Netherlands -- The Kosovo Specialist Chambers and Specialist Prosecutor's Office in Hague (building), February 27, 2019.
Përmbledhja e aktgjykimit kundër Gucatit dhe Haradinajt

Me veprimet e tyre, tha gjykatësi, Gucati dhe Haradinaj kanë tentuar të pengojnë zyrtarët e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të kryenin detyrat e tyre zyrtare. Gjykatësi tha se ata vepruan në grup për të penguar punën e Gjykatës Speciale.

Trupi gjykues gjithashtu konstatoi se “sjellja e të akuzuarve ishte mjeti që shërbente për një qëllim: për të penguar hetimet dhe ndjekjet penale të efektshme të ish-anëtarëve të UÇK-së nga ZPS-ja".

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë ksihin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të së cilave u janë shpërndarë gazetarëve në tri konferenca për media, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza në pika të shkurtra

Ndërtesa e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ndërtesa e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në aktakuzën e ZPS-së thuhet se nga data 7 deri më 25 shtator, 2020, me rastin e tri konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë zbuluar, pa autorizim, informacione të mbrojtura me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke përfshirë detajet identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm).

Të akuzuarit gjithashtu kanë bërë akuza dhe vërejtje përçmuese ndaj dëshmitarëve (të mundshëm) dhe vazhdimisht kanë shprehur synimin e tyre për t’i zhbërë Dhomat e Specializuara.

Akuzat përfshijnë dy vepra penale kundër rendit publik, përkatësisht pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe katër vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Këto akuza janë kanosje gjatë procedimit penal, hakmarrje dhe shkelje e fshehtësisë së procedurës.

OVL e UÇK-së ka thënë se këto dokumente i ishin dërguar kësaj organizate nga një person anonim. Fillimisht, Gjykata Speciale nuk kishte konfirmuar autenticitetin e dokumenteve, por në procesin gjyqësor iu referua atyre si “dokumente zyrtare” të këtij institucioni.

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore. Gjatë gjykimit, ata e kanë cilësuar Gjykatën Speciale si “gjykatë njëetnike”, synim ka vetëm “dënimin e shqiptarëve”, ndërsa amniston, sipas tyre, kimet e kryera nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë.

FHD kërkon zgjerimin e hetimeve për rrjedhjen e materialeve

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) tha se vendimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt ishte i bazuar.

Kjo organizatë kërkoi që hetimet të zgjerohen edhe ndaj personave prek të cilave kanë rrjedhur materialet, që OVL e UÇK-së nxori për publik.

“Veprimet e tilla duhet të parandalohen pasi që e rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve dhe familjarëve të tyre, ndikojnë në zvogëlimin e besimit dhe kredibilitetit të Dhomave të Specializuara dhe mund të kenë ndikim te dëshmitarët që të ndërprenë bashkëpunimin me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, thuhet në njoftim.

OVL e UÇK-së: Vendim politik

Pas shpalljes së aktgjykimit dënues, ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, duke e vlerësuan dënimin si vendim "politik".

“Me të gjitha mundësitë tona ne do ta pengojmë funksionimin e saj [Gjykatës Speciale], sepse nuk i ndjek krimet e luftës, por i ndjek shqiptarët. Po t’i ndiqte krimet e luftës, do duhej t’i ndiqte krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese në Kosovë” , tha Kliniku në një konferencë për media në Prishtinë pas shpalljes së aktgjykimit.

Si ka rrjedhur gjykimi?

Që nga fillimi i gjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt janë paraqitur 14 dëshmitarë.

Katër janë propozuar nga ZPS-ja, 6 nga Hysni Gucati, 4 nga Nasim Haradinaj. Numri i dëshmive me shkrim, ndërkaq, ka qenë 18. Dymbëdhjetë janë propozuar nga mbrojtja e Gucatit dhe gjashtë nga mbrojtja e Haradinajt.

Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar gazetarë, punonjës të zyrës qendrore të OVL-UCK-së, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe zyrtarë të ZPS-së dhe të Dhomave të Specializuara.

Si prova kryesore në këtë rast janë paraqitur video-incizimet e zyrës së OVL-UÇK-së, në të cilat Gucati e Haradinaj shihen duke mbajtur konferenca për media dhe duke prezantuar, siç është thënë, dokumente konfidenciale para gazetarëve. Në disa raste, ata akuzohen se kanë dhënë informacione tejet të ndjeshme për dëshmitarë të mbrojtur.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Çka është Gjykata Speciale e Kosovës?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00
XS
SM
MD
LG