Ndërlidhjet

Dhuna në protesta thellon krizën në Francë

Paris, 17 tetor 2026.
Paris, 17 tetor 2026.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, refuzoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, pas një fundjave protestash të dhunshme që lanë pas mijëra të arrestuar, qindra të lënduar dhe dëme të mëdha materiale në disa qytete franceze.

Nunez ofroi dorëheqjen duke marrë përgjegjësinë për dështimin e forcave të sigurisë për të kontrolluar trazirat, por Pallati Elize njoftoi se Macron i ka kërkuar të qëndronte në detyrë, për të garantuar vazhdimësinë e drejtimit të policisë.

Presidenti pranoi se ka pasur mangësi në parashikimin e shkallës së protestave dhe në mbledhjen e informacioneve nga shërbimet e sigurisë.

Ai kërkoi nga ministri masa të reja për të parandaluar dhunën dhe plaçkitjet.

Ndërkohë, kryeministri Sebastien Lecornu mblodhi të hënën një kabinet emergjent për të shqyrtuar pasojat e trazirave, dëmet ekonomike dhe reagimin e forcave të rendit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, iu adresua kombit më 18 tetor 2026.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, iu adresua kombit më 18 tetor 2026.

Kriza përfshiu Francën vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale, në një periudhë pakënaqësish në rritje për koston e jetesës, gjendjen e shërbimeve publike dhe funksionimin e institucioneve.

Çfarë ndodhi gjatë fundjavës?

Më shumë se 550 mijë persona dolën në rrugët e Francës të shtunën, më 17 tetor, sipas vlerësimeve të autoriteteve.

Demonstratat, të organizuara fillimisht për të kërkuar kushte më të mira në arsim dhe masa kundër rritjes së kostos së jetesës, u shoqëruan me përplasje të dhunshme në Paris, Marsejë, Lion dhe qytete të tjera.

Në disa zona, protestuesit ngritën barrikada dhe u vunë flakën automjeteve e ndërtesave, ndërsa grupe të tjera thyen vitrinat dhe plaçkitën dyqane.

Sipas autoriteteve, rreth 1.500 dyqane dhe biznese u plaçkitën ose u dëmtuan gjatë trazirave.

Trazirat vazhduan edhe të dielën, ndonëse në përmasa më të vogla.

Marsejë, 17 tetor 2026.
Marsejë, 17 tetor 2026.

Në Paris, policia raportoi mbi 100 arrestime gjatë mbrëmjes dhe natës, si dhe plaçkitjen e pesë dyqaneve.

Bilanci i arrestimeve në gjithë Francën arriti në rreth 2.400 deri të dielën, ndërsa autoritetet raportuan për qindra policë të lënduar.

Pse po protestohet në Francë?

Vala e protestave nisi në mes të shtatorit, kur nxënës të shkollave të mesme në Paris dolën në rrugë për të kundërshtuar gjendjen e sistemit arsimor.

Ata kërkuan investime më të mëdha në shkolla dhe zgjidhjen e mungesës së mësimdhënësve.

Pakënaqësia u përhap gradualisht në qytete të tjera, ndërsa protestave iu bashkuan edhe studentë universitarë, mësimdhënës, sindikata dhe pensionistë.

Me zgjerimin e pjesëmarrjes, kërkesat filluan të përfshinin edhe koston e lartë të jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike.

Pse policia nuk arriti t’i kontrollonte trazirat?

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, pranoi të hënën se policia kishte humbur kontrollin në disa qytete.

Në një intervistë për radion France Inter, ai tha se kishte ofruar dorëheqjen, sepse ndihej përgjegjës për atë që kishte ndodhur gjatë fundjavës.

Sipas tij, shërbimet e sigurisë kishin parashikuar rreth 200 mijë demonstrues për të shtunën, por pjesëmarrja kishte kaluar 550 mijë persona.

Dallimi mes pjesëmarrjes së parashikuar dhe asaj reale ngriti pyetje për përgatitjen e policisë dhe shpërndarjen e forcave në terren.

Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, tha se zhvillimet dëshmuan mangësi të shërbimeve të sigurisë në përballjen me grupet e së majtës ekstreme.

Autoritetet franceze fajësuan grupe të tilla dhe persona të përfshirë në veprimtari kriminale për pjesën më të madhe të dhunës, por bënë dallimin mes tyre dhe demonstruesve paqësorë.

Paris, 18 tetor 2026.
Paris, 18 tetor 2026.

Si reagoi Macron?

Në një fjalim televiziv të dielën në mbrëmje, Macron dënoi dhunën dhe kërkoi qetësimin e situatës.

Ai tha se duhej bërë dallim mes qytetarëve që protestojnë për shqetësime legjitime dhe personave që sulmojnë institucionet, plaçkitin bizneset dhe shkatërrojnë pronën.

Presidenti premtoi transparencë lidhur me mënyrën se si policia i kishte menaxhuar protestat dhe kërkoi që autoritetet të nxirrnin mësime nga dështimet e fundjavës.

Ai paralajmëroi gjithashtu se mund të ndalohen tubime të caktuara, nëse autoritetet vlerësojnë se ekziston rreziku i dhunës.

Macron i kërkoi kryeministrit Lecornu të zhvillojë konsultime me partitë politike, sindikatat, organizatat studentore dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal, për të shqyrtuar kërkesat sociale që kanë nxitur protestat.

Pavarësisht krizës, presidenti vazhdoi të hënën vizitën e planifikuar triditore në vendet e Gjirit Persik.

Ai mbërriti në Kuvajt, ndërsa në agjendë ka edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Katarin.

Vizita lidhet me përpjekjet e Francës për të siguruar furnizime me naftë dhe gaz, në një periudhë kur çmimet e energjisë janë ndër shqetësimet kryesore ekonomike.

Kriza në prag të zgjedhjeve presidenciale

Protestat zhvillohen në një moment veçanërisht të ndjeshëm politik për Francën.

Macron është në muajt e fundit të mandatit të tij të dytë presidencial dhe, sipas Kushtetutës franceze, nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi.

Zgjedhjet presidenciale pritet të mbahen në pranverën e vitit 2027, ndërsa vendi përballet me një parlament të fragmentuar dhe me përplasje të vazhdueshme mes blloqeve politike.

Në të djathtën nacionaliste, Marine Le Pen mbetet një nga figurat kryesore të debatit politik, ndërsa në të majtën radikale është Jean-Luc Melenchon.

Përplasjet e fundit kanë shtuar presionin ndaj Qeverisë dhe kanë rikthyer debatin për aftësinë e institucioneve franceze për t’iu përgjigjur pakënaqësive sociale.

​
XS
SM
MD
LG