Ndërlidhjet

Dilema e partive politike – reformat pastaj zgjedhjet


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Reformat zgjedhore mund të shërbejnë si justifikim nga opozita, që tash për tash, të heq dorë nga nisma për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme.

Miratimi i reformave zgjedhore po shihet si domosdoshmëri që do të garantonte në rast se vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për shkak të, siç thuhet nga opozita, faktit se Qeveria aktuale tashmë ka humbur shumicën në Kuvend.

Ndërkaq, përfaqësuesit e partive politike në pushtet konsiderojnë se Qeveria e Kosovës është duke funksionuar mirë dhe se vendi, nuk mund të shkojë në zgjedhje ashtu siç pretendon opozita. Partitë në pushtet theksojnë po ashtu se në zgjedhje nuk mund të shkohet pa reformat e proklamuara ndër vite.

Deputetët e partive që janë pjesë e Qeverisë, theksojnë se partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovë, por edhe partitë e tjera nga ky tabor, janë duke i kryer detyrat e tyre si opozitë.

Deputeti Zenun Pajaziti nga Partia Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se në këtë kohë përmendja e zgjedhjeve nuk është asgjë tjetër veç kauzë politike.

Lidhur me debatin e organizuar javën e kaluar nga LDK-ja, Pajaziti tha se ai takim ka treguar se pas një procesi të zgjatur për Demarkacionin, partitë duhet të ulen dhe të flasin për tema të mëdha për vendin.

"Iniciativa për të bërë reforma për zgjedhje, iniciativa për të marrë një qëndrim të përbashkët për dialogun, Asociacionin, për ushtrinë janë temat kryesore. Mendoj se çdo tentim për ta çuar vendin në zgjedhje, para se të kalohet kjo agjendë e përbashkët është naive, e padobishme, e dëmshme dhe mendoj se asnjë subjekt politik nuk ka për të përfituar prej saj", tha Pajaziti.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria është stabile, funksionale dhe po bën punë të rëndësishme.

"Opozita po e kryen rolin e vet duke kërkuar edhe korrigjimin e Qeverisë, por edhe duke bërë presion për zgjedhje të parakohshme. Megjithatë është parë në tryezën e fundit se nuk janë të gatshëm për zgjedhje, për shkak se kemi mbajtur zgjedhje, ka shtatë muaj, dhe po ashtu Kosova nuk e ka komoditetin që të hyjë shpesh në zgjedhje", tha Isufi.

Ai tha po ashtu se Kosova tani ka nevojë që nga Qeveria aktuale të shtyhen përpara çështje të mëdha dhe të ndjeshme për vendin.

"Qeveria po funksionon dhe ka nevojë për institucione stabile, sidomos në kohën kur janë hapur disa tema të ndjeshme, siç është dialogu me Serbinë, krijmi i Ushtrisë së Kosovës, Asociacioni dhe liberalizimi i vizave si proces", tha Isufi.

Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike e Kosovës besojnë se përmes dialogut të brendshëm politik do të mund të arrihet një konkluzion për tejkalimin e sfidave që po kalon vendi.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së thotë se qëndrimi i LDK-së është i qartë se vendi është në një krizë dhe se për të dalë nga kjo krizë, duhet vullnet i përgjithshëm.

"Ne kemi mundësi që vendin ta çojmë në zgjedhje për tridhjetë ditë përmes mocionit të votëbesimit dhe ju garantoj se votat janë në Kuvend për ta rrëzuar Qeverinë. Por, ne dëshirojmë që vendit të shkojë në zgjedhje në mënyrë të dakorduar me të gjitha forcat politike dhe ato zgjedhje të përgatiten siç duhet, edhe në aspektin teknik por edhe në reformat tjetra nëse ka dakordim mes forcave politike", tha Hoti.

Deputeti Hoti ka treguar që së shpejti partitë politike do të kenë takim me ambasadorët e BE-së dhe të shteteve të Kuintit, për të diskutuar për zhvillimet politike në vend.

Sidoqoftë, hapja e debatit për zgjedhje, ende pa i mbushur Qeveria një vit të funksionimit të saj, sipas analistëve politikë tregon se as LDK-ja nuk është shumë e interesuar për zgjedhje, por më shumë për të rikthyer vëmendjen e mbështetësve të saj.

Sipas tyre, në këtë fazë duket se edhe LDK-ja ka hequr dorë nga nisma që e kishte proklamuar për mocionin e mosbesimit dhe rrëzimin e Qeverisë, duke i dhënë tash për tash, përparësi procesit të reformave zgjedhore.

XS
SM
MD
LG