Ndërlidhjet

Kosova në petkun kuq e zi për Ditën e Flamurit


Me aktivitete të shumta, në Kosovë po shënohet 28 Nëntori, Dita e Flamurit të shqiptarëve. Liderët politikë, kryesisht e kanë nisur ditën dhe aktivitetet e tyre me homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova, në Prishtinë, kompleksi memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz dhe vende tjera të rëndësishme për historinë e Kosovës dhe shqiptarëve.

“Nëntori i ka dhënë gjithmonë shpirt historisë sonë. Por, krenaria kombëtare, lidhja shekullore dhe vendosmëria e popullit tonë, më së miri përbashkohen rreth Flamurit Kombëtar më 28 Nëntor”, ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në rrjetin social Facebook.

“Dhe sot, simotra të pandashme, Kosova e Shqipëria qëndrojnë të bashkuara edhe rreth agjendës evropiane. Ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë bashkë!”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se “28 Nëntori i bashkon shumë festa, por ajo që është shumë me rëndësi është pavarësia e shtetit shqiptar”.

“Fatmirësisht edhe një pjesë e atdheut tonë u bë më vete, Kosova. Tani nderojmë aty ku është kontributi më i madh për liri”, tha kryeministri Haradinaj, pas homazheve në Prekaz.

Kryeministri Haradinaj e ka shpallur 28 Nëntorin, ditë pushimi.

Po në këtë datë, shënohet edhe Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila mbushë 105 vjet si shtet i pavarur.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në shënimin qendror që do të mbahet në Vlorë.

Ndërkaq, kryeparlamentari Kadri Veseli, sot ka vizituar kompleksin memorial në fshati Boletin, nga ku ka uruar shqiptarët për Ditën e Flamurit dhe 105-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Veseli ka thënë se Shqipëria dhe shqiptarët po ecin mirë përpara, ndërsa Kosova është shtet i lirë dhe pavarësia e vendit është e shenjtë dhe pacenueshme.

“Askush nuk mund ta cenojë lirinë e Kosovës. Ajo do të jetë shtet ku sundon ligji dhe vend i barabartë për të gjithë qytetarët, me ekonomi të zhvilluar dhe mirëqenie. Kjo është liria për të cilën ranë heronjtë tanë”, ka thënë Veseli.

Kadri Veseli vizitoi varrin e Isa Boletinit
Kadri Veseli vizitoi varrin e Isa Boletinit

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë zhvilluar një takim të përbashkët, ku janë nënshkruar 12 marrëveshje bashkëpunimi, të cilat prekin fushën e politikës së jashtme, përmirësimin e praktikave të zhvillimit të politikave, bashkëpunimin në fushën e diasporës, bashkëpunimi në fushën e kulturës, të bujqësisë, si dhe për themelimin e bursës së përbashkët të energjisë elektrike.

XS
SM
MD
LG