Djali i liderit çeçen raportohet se ka marrë shtetësinë serbe

Djali i liderit çeçen, Ali Kadyrov, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, 8 qershor 2024.
Djali i liderit çeçen, Ali Kadyrov, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, 8 qershor 2024.

Ali Kadyrov, djali 19-vjeçar i liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, ka marrë shtetësinë serbe dhe tani mund të udhëtojë pa viza nëpër Evropë, njoftoi organizata joqeveritare ruse, Fondacioni për Luftën kundër Korrupsionit.

Sipas hulumtimit të kësaj organizate, i riu mori shtetësinë me një vendim të Qeverisë së Serbisë, të datës 10 korrik 2025, me emrin Ali Ramzanoviç Musaev.

Në vendimin e Qeverisë, të publikuar në Gazetën Zyrtare, si emër i babait të Musaevit figuron Ramzan.

Në vendim thuhet, gjithashtu, se i riu ka lindur më 14 dhjetor 2006 në Centoroj të Rusisë dhe se ka shtetësi ruse.

Fondacioni për Luftën kundër Korrupsionit tha se të gjitha të dhënat, përveç mbiemrit, përputhen me ato të Ali Kadyrovit.

Media online Agencija shkruan se, para se ta merrte shtetësinë serbe, i riu e kishte ndryshuar zyrtarisht mbiemrin në Musaev, përmes shërbimit të gjendjes civile në Çeçeni.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj menjëherë pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ishte në dijeni se Ali Ramzanoviç Musaev është djali i liderit çeçen, Ramzan Kadyrov.

Ramzan Kadirov udhëheq Çeçeninë, republikë në përbërje të Federatës Ruse, që nga viti 2007.

Ai është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe mbështetës i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ai mori drejtimin e Çeçenisë tre vjet pas vrasjes së babait të tij, presidentit të atëhershëm çeçen, Ahmat Kadyrov.

Kadyrov është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut prej vitesh akuzojnë forcat nën kontrollin e tij për rrëmbime, tortura, vrasje dhe përndjekje të kundërshtarëve politikë dhe të komunitetit LGBT.

REL-i i kërkoi Qeverisë të sqaronte edhe arsyet për dhënien e shtetësisë serbe Ali Ramzanoviç Musaevit.

Fondacioni për Luftën kundër Korrupsionit pretendon se djali i liderit çeçen ka udhëtuar jashtë vendit me këtë mbiemër më shumë se 100 herë, pothuajse gjithmonë me avionë privatë dhe kryesisht drejt Dubait.

Sipas fondacionit, me mbiemrin Musaev udhëtojnë edhe anëtarë të tjerë të familjes Kadyrov - Adam, Ahmat, Tabarik dhe Medni - përkatësisht dy djemtë, vajza dhe bashkëshortja e liderit çeçen.

Fondacioni për Luftën kundër Korrupsionit, i regjistruar më 2011 nga Aleksei Navalny, u kërkoi autoriteteve serbe që t’ia konfiskojnë pasaportën serbe djalit të liderit çeçen.

Qeveria e Serbisë ka vazhduar praktikën e dhënies së shtetësisë shtetasve rusë, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit se kjo u mundëson atyre hyrjen pa viza në Bashkimin Evropian.

​
XS
SM
MD
LG