Ndërlidhjet

Si do ta përçojë Trump mesazhin pa media sociale?


Ilustrim.
Ilustrim.

Vendimi i kompanive të teknologjisë për t’ia pamundësuar presidentit amerikan, Donald Trump, që të përçojë mesazhin te ndjekësit e tij në mediat sociale mund ta detyrojë atë, që gjatë ditëve të fundit të mandatit të tij, t’iu kthehet metodave më tradicionale të komunikimit, apo kanaleve më të izoluara konservatore online, thonë ekspertët, shkruan agjencia Reuters.

Twitter, Facebook, Alphabet – në pronësi të Google, Apple dhe Amazon ndërmorën veprimet e tyre më të ashpra për të kufizuar Trumpin, nga frika e vazhdimit të mundshëm të dhunës, e cila buronte nga postimet e tij, pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit SHBA-së, javën e kaluar.

Vendimit të këtyre kompanive iu bashkuan edhe disa kompani më të vogla të teknologjisë, duke përfshirë Twitch, Snapchat, Reddit, Shopify dhe TikTok.

Trump e ka sfiduar me të dhëna të pabazuara fitoren e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Më 6 janar, ai nxiti mbështetësit e tij, para se ata të shkonin dhe ta rrethonin ndërtesën e Kongresit. Në ato momente ligjëvënësit amerikanë kishin filluar procesin e certifikimit të votave të Kolegjit Elektoral për Bidenin. Gjatë trazirave pesë persona u vranë, përfshirë një oficer të policisë.

Apple, Google dhe Amazon kanë pezulluar edhe aplikacionin Parler. Në këtë aplikacion pro-Trump, përdoruesit kanë kërcënuar për më shumë dhunë.

Platforma ka 12 milionë përdorues, përfshirë djemtë e Trumpit, Donald Jr. dhe Eric të cilët janë aktivë në të. Ky aplikacion tani duhet të gjejë një server të ri për të zëvendësuar Amazon, në mënyrë që të vazhdojë funksionimin.

Si mund të arrijë Trump te ndjekësit e tij?

President Trump ka qenë i fiksuar pas Twitterit, që kur kandidoi për president dhe rregullisht ka komunikuar me 88 milionë ndjekësit e tij përmes kësaj platforme. Pasi Twitter njoftoi se ka pezulluar përgjithmonë llogarinë e tij, Trump u zotua se "nuk do të heshtte!" dhe premtoi një "njoftim të madh së shpejti".

Trump gjithashtu shkroi në Twitter nga llogaria @POTUS menjëherë pas ndalimit dhe kritikoi kompaninë e teknologjisë, demokratët dhe një ligj që mbron kompanitë e internetit të quajtur Seksioni 230. Ai tha se po mendonte të ndërtonte platformën e tij të mediave sociale. Postimet e tij u fshinë menjëherë nga ana e kompanisë.

Por, planet e tij mund të marrin kohë. Për momentin, Trump, i cili lë detyrën më 20 janar, ka mbetur me alternativa të tilla si platforma konservatore në internet Gab, një rrjet i fjalës së lirë me pothuajse asnjë rregull censure, por që është shumë pak i popullarizuar.

Ndihmësit dhe mbështetësit e Trumpit tashmë i janë drejtuar platformës Gab dhe asaj MeWe, për të përçuar mesazhet e tij në ditët në vijim, thanë ekspertët.

Platforma tjera të mundshme do të mund të jenë Rumble dhe shërbimi i transmetimit të videos DLive, së bashku me faqet alternative të lajmeve si American Media Periscope, tha Monica Stephens, asistente profesore në Universitetin e Buffalos, hulumtimet e së cilës përqendrohen në tema, përfshirë mediat sociale.

"Unë nuk mendoj se Trump do t’iu bashkohet këtyre platforma më të vogla. Ka më shumë të ngjarë që ai do të krijojë diçka vetë, dhe do të refuzojë t’i bashkohet një platforme që është nën kontrollen e dikujt tjetër”, tha ajo.

Në ndërkohë, ai mund të trokasë në rrjetet miqësore me të, sikurse janë Fox News, OAN dhe Newsmax për të përçuar mesazhin e tij. Opsioni tjetër është zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, thanë ekspertët. Ai mund të vazhdojë të mbajë konferenca për media ose të shpërndajë deklarata dhe video deri në fund të mandatit të tij.

Çfarë thonë mbështetësit dhe ndjekësit e tij?

Menjëherë pas ndalimit nga ana e Twitter, mbështetës të tillë si Angela Stanton-King, një mbështetëse republikane e grupit konspirativ QAnon që kandidoi në nëntor për ulëse në Kongres, dhe kongresisti republikan, Thomas Massie filluan të shpërndanin në Twitter llogaritë e tyre nga aplikacioni Parler, duke inkurajuar ndjekësit të kalonin në këtë aplikacion.

Të tjerët, përfshirë drejtuesin e mediave konservatore, Rush Limbaugh, çaktivizuan llogaritë e tyre në Twitter. Ligjvënës të shumtë republikanë dënuan vendimet e kompanive të mediave sociale si një përpjekje për të mbytur zërat konservatorë dhe theksuan se lëvizjet e tilla do të polarizonin më tej vendin.

"Tani po jetojmë në një vend ku katër ose pesë kompani - të pazgjedhura, të papërgjegjshme - kanë fuqinë, një fuqi monopoliste për të bërë vendime të llojit: ne do t'i zhdukim njerëzit, thjesht do t'i fshijmë nga çdo lloj platformë digjitale", tha senatori, Marco Rubio, në Fox News.

Bota e shokuar nga dhuna në Uashington
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Disa aktivistë liberalë të fjalës së lirë, gjithashtu nuk janë ndjerë komod me këto vendime. Fondacioni Electronic Frontier, një grup i të drejtave digjitale, mbrojti të drejtën e Twitter dhe të tjerëve për t’u "kujdesur për platformat e tyre", por bëri thirrje për më shumë transparencë dhe qëndrueshmëri në vendimmarrje.

Unioni Amerikan i Lirive Civile tha se "duhet të jetë shqetësuese për të gjithë, kur kompani si Facebook dhe Twitter përdorin fuqinë e pakontrolluar, për të hequr njerëzit nga platformat, që janë bërë të domosdoshme".

A mund të heshtin Trumpin dhe ndjekësit e tij platformat online?

Kompanitë e Silicon Valley shpesh janë përpjekur, por në të shumtën e rasteve pa sukses, të penalizojnë ata që shkëmbejnë përmbajtje të dëmshme - nga dezinformimi zgjedhor deri te gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet e dhunshme. Por, veprimet e këtyre kompanive në ditët e fundit kanë qenë më të ashprat deri më tani.

Amandamenti i Parë i Kushtetutës amerikane që garanton fjalën e lirë nuk zbatohet në përgjithësi nga kompanitë e sektorit privat, duke i lejuar atyre të redaktojnë shprehjet që nxisin dhunë në platformat e tyre.

"Unë mendoj se ka qenë një interes i ligjshëm i politikës publike, që gjatë më shumë se katër vjetët e fundit të lejohet presidenti dhe zërit të tij në Twitter dhe platforma të tjera. Por, në mënyrë të qartë, ajo që ai ka bërë ka tejkaluar çdo interes të arsyeshëm të politikës publike", tha Chris Krebs, ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG