Ndërlidhjet

Izraeli nis me dozën e tretë të vaksinës


Një punonjës shëndetësor në Tel Aviv përgatit vaksinën kundër koronavirusit.
Një punonjës shëndetësor në Tel Aviv përgatit vaksinën kundër koronavirusit.

Izraeli do të fillojë të ofrojë dozën e tretë të vaksinës kundër koronavirusit për njerëzit mbi 60 vjeç, konfirmoi të enjten kryeministri i këtij vendi, Naftali Bennett.

Dhënia e dozave përforcuese do të nisë të dielën, në kohën kur numri i të infektuarve me koronavirus është në rritje, për shkak të variantit më ngjitës Delta.

“U bëj thirrje njerëzve të moshuar që tashmë janë vaksinuar, të marrin edhe dozën shtesë. Mbrojeni veten”, tha Bennett.

Rreth 55 për qind e nëntë milionë banorëve të Izraelit janë vaksinuar plotësisht - shumica e tyre me vaksinën Pfizer/BioNTech.

“Vendimi [për dozën e tretë] u bazua në kërkime dhe analiza të konsiderueshme, si dhe në rritjen e rrezikut nga varianti Delta”, tha Bennett.

Ministri i Shëndetësisë, Nitzan Horowitz, tha se “doza e tretë mund të shpëtojë jetë”.

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, do ta marrë dozën përforcuese të premten në mëngjes.

Izraeli regjistroi mbi 1,400 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht janë 15,000 raste aktive në Izrael - përfshirë 151 persona të shtruar në spital në gjendje të rëndë.

XS
SM
MD
LG