Ndërlidhjet

Një panel i FDA-së rekomandon doza përforcuese kundër COVID-19 për të moshuarit


Dozë vaksine e kompanisë Pfizer.
Dozë vaksine e kompanisë Pfizer.

Një panel i pavarur në Administratën amerikane për Ushqim dhe Ilaçe (FDA), ka përkrahur dhënien e dozave përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer/BioNTech, mirëpo vetëm për amerikanët më të moshuar edhe ata që janë më të rrezikuar.

Ndonëse rekomandimi nuk është detyrues, udhëzimi i panelit përbën dallim prej planit të presidentit amerikan, Joe Biden për të ofruar doza shtesë për pothuajse të gjithë amerikanët.

Rregullatori amerikan, FDA, që zakonisht zbaton këshillat e panelit, pritet të marrë vendimin zyrtar javën tjetër.

Ekspertët e panelit kanë thënë se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për dozat përforcuese dhe ka vënë në pikëpyetje dhënien e vaksinave shtesë për të gjithë, në vend që ato të ndahen vetëm për grupet më të cenueshme.

Përmes një votimi unanim, paneli ka vendosur që secili person mbi moshën 65-vjeçare dhe ata që janë të rrezik të madh, të marrin dozën e tretë, gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Ndonëse disa kërkime kanë treguar se efekti i vaksinës zbehet pas një kohe dhe dozat përforcuese mund ta kthejnë mbrapsht këtë gjë, vaksina e kompanisë Pfizer mbetet tejet efektive kundër sëmurjes së rëndë dhe vdekjes, diçka që paneli e ka pasur parasysh kur ka thënë se doza shtesë nuk është e nevojshme për popullsinë e përgjithshme.

Pfizer ka thënë se është e rëndësishme që të përforcohet imuniteti kundër COVID-19, para se të zbehet tërësisht.

Kompania ka thënë se të dhënat nga testimet klinike kanë treguar se efekti i vaksinës është zbehur për gati 6 për qind çdo dy muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG