Përderisa Bashkimi Evropian po investon rreth 6 miliardë euro në kapacitetet e Ukrainës për dronë, Kievi ka siguruar një përjashtim nga rregullat e prokurimit, që mund t’i mundësojë të vazhdojë përdorimin e komponentëve kritikë kinezë – duke nxjerrë në pah varësinë e pakëndshme nga një vend që është i rreshtuar ngushtë me Rusinë.
Industria e dronëve në Ukrainë është zgjeruar ndjeshëm që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.
Megjithatë, Kievi vazhdon të varet nga komponentët më të lirë kinezë për të përmbushur kërkesën në vijën e frontit. Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Kievit janë përkeqësuar vitet e fundit dhe janë shoqëruar me shqetësime për lidhjet e Kinës me Rusinë.
Përjashtimi i fundit është pjesë e një huaje prej 60 miliardë eurosh për prokurim në fushën e mbrojtjes, që përqendrohet në komponentë të cilët, sipas raportimeve, në Evropë nuk ka sasi të mjaftueshme që janë në shitje.
Vita Holod, hulumtuese në Akademinë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës, i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se “përjashtimi i BE-së është mjaft domethënës. Ai tregon se as Ukraina dhe as Evropa ende nuk mund t’i zëvendësojnë furnizuesit kinezë në shkallën, shpejtësinë dhe me çmimin e nevojshëm”.
Përderisa Kievi ka reduktuar blerjen e dronëve të gatshëm nga Kina, komponentë si motorët, bateritë e litiumit dhe fibrat optike mbeten shumë të kërkuara.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një fjalimi më 15 korrik, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Ukrainës, tha se vendi i tij po prodhon 10 milionë dronë në vit.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, importet e pjesëve kineze veçse kanë arritur në rreth 76 për qind të totalit të regjistruar gjatë vitit paraprak.
Një raport i Këshillit të Industrisë së Mbrojtjes të Ukrainës dhe Institutit Ishulli i Gjarpërinjve, një institut me bazë në Kiev, tha se 38 për qind e vlerës së komponentëve të dronëve të importuar nga Ukraina në gjysmën e parë të vitit 2025 vinte nga Kina.
“Bota është dëshmitare e luftës me dronë të Kinës në Ukrainë, ku të dyja palët po përdorin shumë nga të njëjtat teknologji kundër njëra-tjetrës”, tha Holod. “Teksa Ukraina po ndërton vetqëndrueshmëri më të madhe dhe po eksploron kanale alternative furnizimi, Kievi duhet të jetë i kujdesshëm, i matur dhe pragmatik në marrëdhëniet me Pekinin”.
Marrëdhënie të ftohta
Marrëdhënie të tilla pragmatike mes Pekinit dhe Kievit janë bërë gjithnjë e më të pakëndshme teksa lufta po vazhdon.
Ekspertët nuk janë të bindur se një vizitë, që pritet të zhvillohet, në Pekin e ministrit të Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, do të ndikojë shumë në ndryshimin e situatës.
Kina ka shmangur që të dënojë hapur luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, teksa njëkohësisht e ka ruajtur Moskën si aleate të ngushtë.
Michal Bogusz, hulumtues i lartë në Qendrën për Studime Lindore me bazë në Varshavë, tha se nuk ka gjasa që Pekini ta ndryshojë qëndrimin e tij ndaj luftës dhe që të ndërmarrë një qëndrim më të fuqishëm ndaj një armëpushimi.
Video: Dronët e lirë ukrainas që po e ndryshojnë luftimin
Ai tha se “vazhdimi i konfliktit në mënyrë të kontrolluar, pa u zgjeruar, është në interes të Pekinit”, duke iu referuar varësisë në rritje të një Rusie gjithnjë e më të izoluar nga Kina si blerëse e eksporteve të saj të naftës, si dhe mundësisë që një luftë e zgjatur të dobësojë unitetin mes aleatëve perëndimorë.
Shkëmbimet diplomatike mes Kievit dhe Pekinit kanë qenë të pakta.
Zelensky dhe lideri kinez, Xi Jinping, kanë biseduar drejtpërdrejt vetëm një herë që nga viti 2022. Një vizitë e planifikuar e Sybihas në Kinë, pas një ftese nga kryediplomati kinez, Wang Yi, në shkurt të vitit 2026, nuk u realizua, ndërsa një ftesë e re ende nuk ka rezultuar në caktimin e një date për vizitën.
Video: Ushtria ukrainase sulmon caqet ruse me dronë
Bogusz tha se marrëdhëniet janë ftohur pasi Kievi është bërë më “këmbëngulës” në mënyrën se si trajton marrëdhëniet e Kinës me Rusinë. Nga ana tjetër, ai shtoi se “kjo është diçka që [Pekini] e kishte parashikuar, sepse e dinte se nuk do t’i jepte Kievit atë që Kievi dëshironte” sa i përket presionit të hapur ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës.
Që kur ka nisur lufta, Ukraina ka sanksionuar disa kompani kineze për mbështetjen e pretenduar ndaj ushtrisë ruse.
Vladyslav Vlasiuk, komisioneri i Ukrainës për politikën e sanksioneve, tha më 28 korrik se rundi i fundit i sanksioneve të BE-së ndaj kompanive kineze për ndihmën që i japin industrisë së mbrojtjes së Moskës është “një hap i nevojshëm dhe i justifikuar”.
Pekini mohon se furnizon me armë vdekjeprurëse cilëndo palë në konflikt.
Ambasadori i Kinës në Ukrainë, Ma Shengkun, shkroi në një letër, të publikuar nga mediat ukrainase më 30 qershor, se marrëdhëniet dypalëshe kërkojnë një “kuptim të qartë të qëndrimit objektiv dhe të paanshëm [të Pekinit] për promovimin e bisedimeve të paqes”. Ma tha po ashtu se Kina respekton “integritetin territorial të të gjitha vendeve, përfshirë atë të Ukrainës”.
Ukraina po ashtu arrestoi dy shtetas kinezë në korrik të vitit 2025, nën dyshimin për spiunazh. Autoritetet ukrainase i akuzuan ata se kishin mbledhur informacione rreth raketës, që përdoret kundër anijeve, Neptune, të prodhuar në Ukrainë, për shërbimet kineze të inteligjencës.
Tim Ruhlig, analist i lartë për Kinën në Institutin e Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë në Paris, i përshkroi marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve si një “varësi të ndërsjellë armiqësore”.
Pekini mbetet partneri më i madh tregtar i Kievit, ndërsa Ukraina është furnizuese e rëndësishme e produkteve bujqësore për Kinën.
“[Kjo është] një marrëdhënie asimetrike në favor të Pekinit, por të dyja [palët] kanë interes në vazhdimin e një forme të marrëdhënieve ekonomike”, tha Ruhlig.
Duke folur për të ardhmen, ai gjithashtu vuri në pah se “ukrainasit do të përpiqen, kudo që të munden, të bëhen më të pavarur”.