Ndërlidhjet

Droni që ra në Zagreb, bartte eksploziv


Vendi ku ka rënë droni, Zagreb.

Zyra e Prokurorit të Shtetit në Kroaci, ashtu si edhe ekspertët ushtarakë dhe policorë paraqitën të mërkurën rezultatet e hetimeve në rastin e përplasjes së një droni të kohës sovjetike në pjesën jugore të Zagrebit, më 10 mars.

Sipas tyre, hetimet kanë treguar se droni bartte një mjet të improvizuar shpërthyes.

Gjithashtu, në ngjyrën e kuqe të yllit në krahun e dronit, ai që e ka lëshuar, ka vënë ngjyrat e flamurit të Ukrainës: të verdhë dhe të kaltër.

Droni i ka nisur manovrat e uljes jo shumë larg Zagrebit, por ekspertët thanë se nuk kanë mundur të konfirmojnë se Zagrebi ka qenë objektivi.

Ekspertët supozuan se për ndonjë arsye, mund të ketë ndodhur ndonjë gabim gjatë uljes.

Jurica Illiq, nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, tha se ky hetim është fokusuar në shkaqet e rrëzimit të dronit, ndërsa hetimi se kush e ka nisur atë dhe nga ka ardhur saktësisht, vazhdon.

Kreu i Sektorit të Policisë Ushtarake Kriminale, brigadieri Mario Poçinok, tha se NATO-ja nuk është informuar ende për rezultatet.

Droni, gati gjashtë tonë i rëndë, i prodhuar në vitet 1980 në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik, është rrëzuar më 10 mars, në orën 23:01.

Nga hetimet u konstatua se bëhet fjalë për një dron zbulues TU-141, i cili deri në rënien e tij në Kroaci, ka kaluar në hapësirat ajrore të dy vendeve anëtare të NATO-s: Rumanisë dhe Hungarisë.

Pas hyrjes në hapësirën ajrore të Kroacisë, droni ka fluturuar shtatë minuta, me një shpejtësi prej 700 kilometrash në orë dhe në lartësi prej 1,300 metrash, përpara se të rrëzohej.

Droni ka rënë në një pyll dhe është përplasur thellë në tokë, kështu që nuk ka pasur dëme serioze.

Të nesërmen e incidentit, autoritetet ukrainase dhe ruse kanë mohuar se droni i rrëzuar në Zagreb, është lëshuar nga zonat nën kontrollin e tyre.

Burimet qeveritare dhe ushtarake në Kroaci kanë pohuar qysh në ditët e para, pas rrëzimit të dronit, se ai ka pasur bombë, ndërsa ekspertë të pavarur kanë thënë se bëhet fjalë për një model të zbulimit, i destinuar për fotografim ajror.

Sipas këtyre të fundit, mbetjet e eksplozivit, që janë gjetur në mbetjet e dronit, mund të vijnë nga në ngarkesë shpërthyese, e cila është vendosur me qëllim të shkatërrimit të të gjitha të dhënave të mbledhura, në rast të rënies së pakontrolluar të dronit - siç ka ndodhur në Zagreb.

Në këtë frymë ka qenë edhe një deklaratë e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, më 15 mars, i cili ka thënë se “indikacionet që kemi tani për rrëzimin e dronit në Kroaci, na tregojnë se nuk ka pasur sulm”.

Sipas informacioneve paraprake nga hetimi, ka thënë Stoltenberg, droni nuk ka qenë i armatosur.

XS
SM
MD
LG