Ndërlidhjet

Pas raportimit të REL-it, dy toksikologët e Biokimisë transferohen në tjetër departament


Klinikë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Klinikë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Dy toksikologët e Klinikës së Biokimisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Pëllumb Islami dhe Demush Bajraktari, do të zhvendosen prej aty, pas raportimit të Radios Evropa e Lirë se të dy ata nuk e kanë kryer punën e tyre, për të cilën kanë pasur kontratë nga viti 2021.

Për raportimin më 7 maj, Islami dhe Bajraktari - të vetmit toksikologë në QKUK - kanë pranuar se nuk i kryejnë detyrat e tyre, duke thënë se nuk kanë kushte për trajtimin e rasteve toksikologjike.

“Pas raportimit tuaj, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka shqyrtuar rastin e toksikologëve në Klinikën e Biokimisë dhe ka vendosur që të dy ata të transferohen menjëherë në Barnatoren Qendrore të SHSKUK-së, për t’i kryer detyrat që u takojnë me kontratë”, tha për Radion Evropa e Lirë drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Transferimi, sipas tij, do të jetë i përkohshëm, deri në themelimin e laboratorit të toksikologjisë në kuadër të Klinikës së Biokimisë.

Azizi shtoi se edhe për drejtorin e Biokimisë, Shemsi Veseli, tash për tash, janë duke u shqyrtuar disa rregullore, pasi në një periudhë kohore “ai e kishte njoftuar SHSKUK-në për mospunën dhe mosangazhimin e toksikologëve”.

Departamenti ligjor i SHSKUK-së konfirmoi për REL-in se është duke u marrë me rastin në fjalë, përkatësisht “duke vlerësuar dhe identifikuar përgjegjësinë individuale”.

  • Për më shumë materiale nga shëndetësia, klikoni KËTU

Islami dhe Bajraktari kanë nënshkruar kontratë me SHSKUK-në nga marsi i vitit 2021 dhe që nga ajo kohë kanë marrë pagë prej më shumë se 1.200 eurosh në muaj.

Udhëheqja e SHSKUK-së, ndërkohë, është ndërruar dhe Azizi, i cili ka marrë detyrën rreth një vjet më parë thotë se, deri vonë, nuk ka qenë në dijeni për rastin e tyre.

REL-i ka biseduar edhe me ish-drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili i ka nënshkruar kontratat me toksikologët në fjalë, por ai ka thënë se “nuk i kujtohet koha kur janë nënshkruar ato”.

Ekipi i REL-it ishte i pranishëm në Klinikën e Biokimisë edhe të martën më 14 maj, ku pa se Islami dhe Bajraktari ishin nënshkruar në fillim dhe në fund të orarit të punës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG