Ndërlidhjet

E djathta ekstreme në Evropën Lindore dhe Ballkan përkrah dhunën në SHBA


Veteranët e batalionit Azov dhe aktivistët dhe mbështetësit e korpusit civil Azov marshojnë në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Kiev më 24 gusht 2020.
Veteranët e batalionit Azov dhe aktivistët dhe mbështetësit e korpusit civil Azov marshojnë në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës në Kiev më 24 gusht 2020.

Vëzhguesit në mbarë botën u shokuan kur panë protestuesit e dhunshëm teksa sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të dhunshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve legjitime presidenciale, me qëllim që t’i japin edhe një mandat të dytë presidentit aktual, Donald Trump.

Por, komentuesit nga e djathta ekstreme e spektrit politik në Evropën Lindore dhe në Ballkan, në shumë raste, u inkurajuan nga ajo që panë. Shumë nga ta ndanë kohën nga festimet për Krishtlindjen Ortodokse më 7 janar, për të treguar solidaritetin e tyre me protestuesit në SHBA, shumë prej të cilëve gjatë protestës valëvitën flamurin e Konfederatës amerikane, një simbol racist.

Një protestues mban flamurin e Konfederatës, pasi ka hyrë në Kongresin amerikan. Uashington, 6 janar, 2021.
Një protestues mban flamurin e Konfederatës, pasi ka hyrë në Kongresin amerikan. Uashington, 6 janar, 2021.

Andreas Umland, që shkruan ekskluzivisht mbi ekstremizmin politik në mbarë botën, shkroi në Facebook, se Trump nuk është i ndikuar ideologjikisht siç janë figurat djathtiste në mbarë botën.

“Termat e tillë si ‘fashist’ nuk tingëllojnë aq mirë për të, pasi terma të tillë kanë në vete një shkallë minimale të informacionit ideologjik, i cili, Trumpit thjesht i mungon”, tha ai.

“Megjithatë, ai pëlqehet nga e djathta ekstreme – jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën”, shkroi Umland.

Anton Shekhovtsov, ligjërues në Universitetin e Vjenës, që është ekspert në neo-nazizëm dhe lëvizje të tjera ekstremiste në Rusi dhe gjetkë, pajtohet me këtë, duke thënë se Trumpi bën pjesë në mesin e “populizmave bashkëkohorë të djathtë në Evropë” që “bazohen në kombinimin e një nativizmi, autoritarizmi dhe populizmi”.

“Jo vetëm që ata operojnë brenda kornizave të demokracisë”, shkroi ai në një ese për ueb-faqen Eurozine, por “ata gjithashtu pretendojnë se janë demokratë më të mirë – një ide anti-establishment që rezonon te shumë votues të pakënaqur”.

Protestuesit futen brenda Kongresit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Një numër i madh i figurave të së djathtës ekstreme në Evropën Lindore dhe në Ballkan, gjetën mbështetje për pikëpamjet e tyre gjatë ngjarjeve të dhunshme që u panë në Shtetet e Bashkuara.

Në Ukrainë, Serhiy Korotkikh, lider i Lëvizjes Azov e së djathtës ekstreme, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit është cilësuar si “grup nacionalist i urrejtjes”, ka mirëpritur trazirat në SHBA, duke përdorur terma racist.

“Të bardhët më në fund vendosën të veprojnë dhe të marrin nën kontroll ndërtesën e Kongresit”, shkroi ai në rrjetin Telegram.

“Kjo është gjë e mirë edhe pse kësaj here mund të mos çojë askund. Por, mendoj se na jep neve një shans. Të bardhët janë ende këtu dhe ne e dimë çfarë të bëjmë”, tha ai.

Gjithashtu në Ukrainë, Andriy Portnov, ish-ligjvënës dhe zëvendësshef i stafit i presidentit pro-rus, Viktor Yanukovych – që u largua nga pushteti përmes protestave më 2014 – shkroi në telegram se “kryengritja” në Uashington “ishte turpi i një banana republike”.

“Çdo glorifikim i mëtejmë i grusht-shtetit tonë lokal duket edhe më qesharak dhe më margjinal (se më parë)”, shkroi ai.

Në Bjellorusi –ku po mbahen protesta që prej zgjedhjeve presidenciale të gushtit të vitit të kaluar, ku Alyaksandr Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë – një kanal pro Lukashenkës në rrjetin Telegram, tentoi të paraqiste një standard të dyfishtë ndërmjet protestave bjelloruse dhe trazirave në Uashington.

“Le t'i emërojmë gjërat ashtu siç e kanë emrin. Nuk ishte kryengritje, por ‘një protestë paqësore, e mbrojtur nga amendamenti i dytë i Kushtetutës”, u shkrua në këtë kanal, duke iu referuar amendamentit të Kushtetutës amerikane, ku garantohet e drejta për të mbajtur armë.

“Ata nuk ishin protestues të dhunshëm, por ‘luftëtarë të vlerave demokratike’. Nuk kishte masakër në Kongres, por ‘një ekskursion arsimor me elemente interaktive’”.

Esenca e shumë postimeve të këtij kanali ishte mbi temën se Bjellorusia është më mirë nën dorën e hekurt, me të cilën autoritari Lukashenka ka udhëhequr me vendin që prej vitit 1994, sesa që të ndjekë shembullin e demokracive liberale të Perëndimit.

Kreu i Lëvizjes për ndryshim në Mal të Zi, Nebojsha Medojviq, i cili është pro-serb dhe pro-rus – po ashtu një entuziast i madh i Trumpit dhe i teorive konspirative që e përshkruajnë COVID-19 si një mashtrim nga ‘satanistët botërorë’ – në postime në Twitter e ka përshkruar Trumpin si “presidentin e parë amerikan, që prej Kennedyt, që ka kundërshtuar anarkinë dhe nga personat që sundojnë nga prapaskenat”.

“Ata duhej që të organizonin një vjedhje të madhe zgjedhore dhe të shkatërronin demokracinë në mënyrë që ta ndalonin atë”, shkroi Medojeviq, duke përkrahur pretendimet për mashtrime në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit të vitit të kaluar.

Ngjarjet në Uashington rezonancën më të fortë e gjetën në figurat e së djathtës dhe nacionalistët në Serbi. Nikola Sanduloviq, kreu i Partisë Nacionaliste Republikane, postoi në Twitter një fotografi të një mbështetësi të Trumpit, që përdhoste statujën e ish-presidentit amerikan, Gerald Ford, që gjendet brenda Kongresit, dhe me shkronja të mëdha shkroi: “Era e lirisë, drejtësisë dhe së vërtetës”.

Ai, po ashtu, postoi një dokument të ish-avokates së fushatës së Trumpit, Sindey Powell, dhe pretendonte se ajo përmbante dëshmi për ndërhyrjen e SHBA-së në zgjedhjet serbe përmes kompanisë që ofron shërbime për zgjedhje, Dominion. Këto pretendime të Powell se kompania Dominion ka qenë e përfshirë në mashtrime zgjedhore, janë diskredituar.

Një llogari e nacionalistëve serbë në Twitter, e quajtur “Slobodni Boem” ka shkruar: “Nuk ka rëndësi nëse Amerika bie tani apo pas 100 a 500 vjetësh. Serbia do të jetë këtu për ta parë këtë gjë”.

Njësoj edhe llogaria në Twitter, e quajtur “Srbski Info Shtab” ka mbështetur dhunën në Uashington dhe ka thënë se ka demonstruar se “diktatorët botërorë” duhet të ndryshojnë menjëherë gjërat në Amerikë “duke instaluar një sistem diktatorial”.

“Por, kjo gjithashtu do të thotë se ka rezistencë”, thuhet tutje në postim. “Një lëvizje të rezistencës”.

Nacionalisti serb, Dejan Beriq, që ka luftuar përkrah mercenarëve rusë në lindje të Ukrainës, ka postuar një video në YouTube, duke i bërë thirrje zyrtarëve të rendit në SHBA, që të mos përdorin dhunë ndaj “protestuesve paqësorë” ose të mos “shkelin të drejtën e tyre për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë”.

Ai, po ashtu, përdori sarkazëm duke thënë se refuzon që ta njohë presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden, dhe bëri thirrje që të vendosen sanksione ndaj personave që e njohin Bidenin si president të zgjedhur të SHBA-së.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG