Ndërlidhjet

Escobar dhe Lajçak diskutojnë situatën në Kosovë dhe rajon me ambasadorët e NATO-s


Fotografi nga vizita e Escobar dhe Lajçak në NATO.
Fotografi nga vizita e Escobar dhe Lajçak në NATO.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, kanë folur të hënën para ambasadorëve të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel në një takim joformal të Këshillit të NATO-s.

Ata gjatë vizitës së tyre të përbashkët në selinë e NATO-s kanë pasur takim edhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoana.

Sipas njoftimeve nga NATO, takimet e tyre kanë qenë pjesë e konsultimeve të rregullta për situatën në Kosovë dhe zhvillimet e përgjithshme në rajonin e Ballkanit Perëndimorë.

“Zëvendëssekretari i përgjithshëm [i NATO-s] Geoana nënvizoj përpjekjet intensive të Aleancës së NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të ulur tensionet e fundit, posaçërisht në veri të Kosovës. Ai po ashtu ka nënvizuar mbështetjen kyçe që ka dhënë misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dhe Misioni i BE-së në për sundim të ligjit (EULEX) në heqjen e suksesshme të barrikadave në rrugë, që ndihmojë në kthimin e plotë të lirisë së lëvizjes në tërë territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga NATO pas këtyre takimeve.

“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka kapacitete dhe personel për të vazhduar implementimin e mandatit të OKB-së në tërësi dhe në baza ditore, në dobi të të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo kontribuon në sigurinë në Kosovë dhe në stabilitetin përgjatë tërë rajonit”, thuhet në këtë njoftim.

Për 20 ditë me radhë, në dhjetorin e vitit të kaluar, grupe të serbëve lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.

Dejan Pantiq, sipas autoriteteve, dyshohet për organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Por, vendimi i autoriteteve gjyqësore në Kosovë më 28 dhjetor për t’ia ndërruar Pantiqit masën e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak, hapi rrugë heqjes së barrikadave. Pas kësaj, përfaqësuesit e serbëve në Kosovë deklaruan se kërkesat e tyre për heqjen e barrikadave ishin plotësuar.

Në njoftimin e NATO-s është shprehur edhe njëherë mbështetja e kësaj Aleance për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

“NATO po ashtu vazhdon të mbështes dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës – si platformën kryesore për të ndërtuar paqen e qëndrueshme dhe sigurinë në gjithë rajonin dhe për të gjitha përpjekjet që kanë për qëllim avancimin e integrimit Euro-atlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimorë”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Në fund të kësaj komunikate të NATO-s thuhet se “gjatë vizitës së tyre, Escobar dhe Lajçak njoftuan ambasadorët e NATO-s për përpjekjet e tyre të forcuara të përbashkëta diplomatike dhe angazhimin me të gjitha palët në rajon”.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja që nga viti 2011. Negociatat mbështeten edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Procesi i dialogut është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Por, palët kanë dallime edhe sa i përket përfundimit të dialogut. Kosova kërkon që një marrëveshje eventuale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia është shprehur se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

XS
SM
MD
LG