Ndërlidhjet

Muralit të Mlladiqit i bashkohen edhe dy të tjerë


Natën ndërmjet 16 dhe 17 nëntorit, 2021, autorë të panjohur kanë shtuar te murali i të dënuarit serb për krime lufte, Ratko Mlladiq, edhe muralin e komandantit çetnik të Luftës së Dytë Botërore, Drazha Mihajlloviq.

Përveç muralit të të dënuarit serb për krime lufte, Ratko Mlladiq, në qendër të Beogradit u shfaqën të mërkurën edhe dy murale të tjera: ai i komandantit çetnik të Luftës së Dytë Botërore, Drazha Mihajlloviq, dhe i dukës serb të Luftës së Parë Botërore, Zhivojin Mishiq.

Figura e Mihajlloviqit është vizatuar në murin anësor të së njëjtës ndërtesë banimi, ku, tash e katër muaj, ndodhet murali i Mlladiqit.

Pranë portretit të Mihajlloviqit janë shkruar edhe vargjet e këngës çetnike “Të gjithë janë roje”.

Figura e Mishiqit, ndërkaq, është vizatuar në një ndërtesë tjetër përballë.

Bashkë me të është pikturuar edhe flamuri i Serbisë.

Murali i dukës serb të Luftës së Parë Botërore, Zhivojin Mishiq.
Murali i dukës serb të Luftës së Parë Botërore, Zhivojin Mishiq.

Qëkur autorë të panjohur kanë pikturuar muralin e Mlladiqit, katër muaj më parë, qytetarët disa herë kanë hedhur ngjyrë mbi të, por murali vazhdimisht është kthyer në gjendjen origjinale, brenda pak orësh.

Më 9 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare kundër Fashizmit, Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka bërë përpjekje ta fshijë muralin e Mlladiqit, por policia e ka ndaluar aksionin, me arsyetimin se ekziston mundësia e një konflikti midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij.

Mlladiq, ish-komandant i ushtrisë serbe të Bosnjës, është dënuar nga Gjykata në Hagë me burgim të përjetshëm.

Ai është shpallur fajtor për gjenocid në Srebrenicë, persekutim, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, nga viti 1992 deri më 1995.

XS
SM
MD
LG