Ndërlidhjet

Egjipti i kërkon Netflixit të veprojë në përputhje me “vlerat” e tij shoqërore


Logoja e kompanisë Netflix.
Logoja e kompanisë Netflix.

Rregullatori i mediave në Egjipt i ka kërkuar platformës Netflix, dhe shërbimeve tjera të ngjashme, që të veprojnë në përputhje me “vlerat shoqërore” të këtij shteti.

Shumica e popullsisë së Egjiptit i përket besimit Islam.

Kërkesa e Egjiptit besohet të jetë referencë për materialet që përfshijnë anëtarë të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

Kjo deklaratë ka ardhur një ditë pasi shtetet e Gjirit Arab, i kanë kërkuar Netflixit që të heqë “përmbajtjen ofenduese” nga platforma, përfshirë ato ku përfshihen homoseksualët dhe lezbiket.

Netlix, kompani me bazë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, nuk ka komentuar këtë kërkesë.

Homoseksualiteti është temë tabu në Egjipt.

Sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Kërkimore Pew më 2013, 95 për qind e respodentëve kanë thënë se homoseksualiteti duhet të “kundërshtohet nga shoqëria”.

Ndonëse diçka e tillë nuk ndalohet me ligj, anëtarë të komunitetit LGBT, gjykohen shpesh nën akuzat për “imoralitet” dhe “jopërmbajtje”.

Në janar të këtij viti, Netflix ka prezantuar filmin e parë në gjuhën arabe me titullin “No Dearer Friends”.

Kritikët kanë thënë se ky prodhim kërcënon familjen dhe vlerat fetare, inkurajon homoseksualitetin dhe nuk është i përshtatshëm për shoqërinë arabe.

Në këtë film ka skena që nuk janë transmetuar më parë para audiencës së këtij shteti.

Një grua shfaqet me veshje intime, një burrë tregon se është homoseksual dhe një baba i thotë vajzës së tij se mund të ketë marrëdhënie seksuale me të dashurin e saj.

XS
SM
MD
LG