Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Ekonomia joformale në Kosovë, mbi 30 për qind


Ilustrim

Ekonomia joformale në Kosovë, në raportet vendore dhe ndërkombëtare, thuhet të jetë më shumë se 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Kjo ekonomi e paligjshme në mbi 30 për qind, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thuhet se ka dëmtuar buxhetin e vendit si dhe konkurrencën e drejtë në treg.

“Ekonomia joformale në mënyrë direkte i shkakton dëm konkurrencës së drejtë dhe të barabartë. Po ashtu, dëme ju shkakton bizneseve të cilat janë të rregullta dhe i kryejnë detyrimet e tyre karshi shtetit. Efekti tjetër është edhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, pasi që asnjë investitorë seriozë në një ambient ku ekonomia joformale është mbi 30 për qind nuk investon”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Ekonomia e paligjshme në Kosovë, edhe nga zyrtarë të institucioneve vlerësohet të jetë në nivel të lartë. Ata thonë se kanë ndërmarrë veprime konkrete për të zbutur këtë dukuri, e cila rrjedhimisht po dëmton ekonominë në vend.

Zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës Hamdi Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se ky institucion ka arritur një progres në luftimin e ekonomisë joformale.

“Ky fenomen është në të gjitha vendet, mirëpo edhe ne si Administratë Tatimore vazhdojmë të ballafaqohemi më këtë. Më qëllim të luftimi të ekonomisë joformale, jemi duke ndërmarrë projekte të caktuara, me qëllime që të minimizohet ekonomia joformale në nivelin më të ulët të mundshme”.

“Na bazë të vlerësimeve që janë bërë nga Bashkimi Evropian është evidentuar se është arritur një progres në luftimin e ekonomisë joformale. Nga të dhënat ekonomia joformale në Kosovë është vlerësuar të jetë 31 për qind”, thotë Hoxha.

Ndërkohë, një numër i madh i konsiderueshëm i bizneseve në Kosovë vazhdojnë t’iu shmangen detyrimeve shtetërore.

Numri i bizneseve që i janë përgjigjur thirrjes së institucioneve kompetente për t’u pajisur me arka fiskale, sipas Hoxhës është më shumë se 28 mijë biznese, nga afër 150 mijë biznese sa janë të regjistruara në Kosovë.

“Në bazë të numrit të përgjithshëm të bizneseve të regjistruara dhe atyre të fiskalizuara, ne nuk mund të nxjerrim përfundimin sa është numri i tyre që nuk janë fiskalizuar, pasi që disa biznese në bazë të ligjit dhe udhëzimit përkatës nuk obligohen të fiskalizohen. Gjatë vitit 2016 dhe 2017 është shënuar progres në fiskalizmin e subjekteve që merren me shitjen e karburanteve dhe pothuajse të gjitha këto biznese janë të fiskalizuara”, thotë Hoxha.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci thotë për Radion Evropa e Lirë se me rritjen e të hyrave që kanë pasur ndër vite, ekonomia joformale konsiderohet të ketë shënuar rënie.

“Dogana e Kosovës është në luftim të ekonomisë joformale dhe ne kemi arritur të jemi efikas. Nëse e përmendim aspektin e mbledhjes së të hyrave, ne kemi mbledhur mbi 1 miliard euro. Ka ende hapësirë për përmirësime, por ne si Doganë vlerësojmë se kemi pasur progres të rritjes së të hyrave. Dhe në momentin kur ka rritje të hyrave, atëherë ka progres në luftimin e ekonomisë joformale”, thekson Stavileci.

Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës janë kontribuuesit kryesorë të buxhetit të shtetit, i cili në këtë vit kap shifrën e afër 2 miliardë euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG