Ndërlidhjet

Erdogan: Marrëveshja për eksportet e drithërave ukrainase zgjatet për dy muaj


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se Nisma për Drithërat në Detin e Zi – që mundëson eksportimin e drithërave ukrainase përmes porteve të shtetit në Detin e Zi – është zgjatur edhe për dy muaj të tjerë.

“Me përpjekjet e shtetit tonë, me mbështetjen e miqve tanë rusë, dhe me kontributin e miqve tanë ukrainas, është vendosur që të shtyhet marrëveshja për drithërat edhe për dy muaj”, njoftoi Erdogan një ditë para se të skadonte marrëveshja.

Rusia është pajtuar që të mos bllokuar largimin e anijeve nga dy porte ukrainase, tha Erdogan, duke theksuar se shpreson që marrëveshja do të sjellë “përfitim për të gjitha palët”.

Njoftimi i Erdoganit më 17 maj erdhi mes kërcënimeve nga Rusia se do të tërhiqej nga marrëveshja nëse nuk largoheshin pengesat e vendosura ndaj eksporteve të saj të drithërave dhe plehrave artificiale. Njoftimin për marrëveshjen Erdogan e bëri gjatë një fjalimi para anëtarëve të partisë së tij, AK, pasi anija e fundit u largua nga portet ukrainase, në bazë të marrëveshjes për drithërat.

Anija DSM Capella u largua nga porti në Çornomorsk me 30.000 tonë grurë dhe u nis drejt Turqisë, sipas të dhënave që publikuan Kombet e Bashkuara.

Pakti, që lejon eksportin e sigurt të drithërave ukrainase nga portet në Detin e Zi, ishte arritur me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së në korrik të vitit të kaluar dhe që atëherë është zgjatur dy herë. Në mars, Moska tha se zgjatja e fundit u bë për 60 ditë, deri më 18 maj, dhe kërcënoi se do të largohej nga marrëveshja nëse nuk plotësoheshin kushtet e saj sa i përket eksporteve bujqësore ruse.

Ukraina mirëpriti zgjatjen e marrëveshjes dhe shtoi se ky pakt duhet të funksionojë në mënyrë efektive.

XS
SM
MD
LG